Rekordmeni kosovar në xhonglimin e topit, Agim Agushi, ka thyer një tjetër rekord botëror. Aktiviteti që u mbajt në qendër të Prishtinës kishte karakter humanitar, në përkrahje të fëmijëve me Autizëm dhe Sindromën Down.
Agushi ka veshur e zhveshur 50 fanella sportive me logo të kompanive të cilat kanë përkrahur shoqatat “Autizmi“ dhe “Down Syndrome Kosova“.
Ky është rekordi i 18-të i mësuesit të Matematikës nga komuna e Vitisë. Ai ka sfiduar rekorde botërore dhe rekorde “Guiness”, në vende si Dubai, Frankfurt, Munchen, Berlin, Antalia, Gjakovë, Tetovë, Shkodës etj. në disiplina të ndryshme
Agushi tregoi për Ekonomia Online se të gjitha të ardhurat nga ky aktivitet do të shkojnë në ndihmë për fëmijët e prekur me autizëm dhe sindromin Down. Ai iu bëri thirrje të gjithë sponsorëve që të përkrahin dy shoqatat.
Ai tha se i ishte kërkuar që këtë aktivitet, veshjen dhe zhveshjen e 50 fanellave sportive, duke goditur topin e futbollit me kokë, ta bënte në Gjermani, mirëpo për shkak të natyrës humanitare, dedikuar fëmijëve, kishte vendosur të vinte në Prishtinë, në mënyrë “që të sensibilizohet opinioni për këtë kategori të shoqërisë njerëzore”.
Xhongleri kosovar thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet. Më 17 shtator, në Ulqin do të ketë vrapimin në 1 mijë metra duke goditur topin e futbollit me kokë, pastaj më 10 tetor në Durrës dhe më 26 tetor në Venecia të Italisë.