Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Shtimes, Fatmir Rashiti, ka marrë mbështetjen e plotë nga Nisma për Kosovën në garën e tij për të parin e komunës.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se programi i kandidatit të përbashkët Fatmir Rashitit do të ketë përkrahjen e plotë të partisë që ai drejton. Ai tha se janë të bashkuar për t’i dhënë një frymë të re Komunës së Shtimes, me kandidatin për kryetar Fatmir Rashiti.
“Ne nuk jemi bashkuar kundër askujt këtu, ne jemi bashkuar për t’i dhënë një mundësi tjetër Shtimes. Nuk është ky bashkim i yni kundër një individi, apo një fryme. Bashkimi ynë, kërkesa jonë, angazhimi ynë është për t’ia ofruar një mundësi ndryshe Shtimes. Ne po besojmë se edhe Shtimja duhet të fillojë ndryshimin e qeverisjes. Ne po besojmë fort që ata që kanë qeverisur deri tani më se paku që mund të themi është se janë lodhur, dikush duhet t’iu ndihmojë t’i qojë në shtëpi”, tha Limaj.
Kreu i Nismës theksoi se ndryshimi është i nevojshëm, sepse 17 vjet qeverisje nga një njeri, është e tepër meqë nuk ka më çka t’i ofrojë qytetarëve të Shtimes.
Ndërsa, kandidati i pavarur për kryetar të Shtimes, Fatmir Rashiti ka kritikuar qeverisjen aktuale, se gjatë mandatit të saj ka shndërruar komunën në një vend ku nuk ka demokraci dhe ku anashkalohen vlerësimet e qytetarit. Sipas tij, qeverisja 17 vjeçare e kryetarit aktual me Shtimen, e ka shndërruar këtë qytet në geto, prandaj është i nevojshëm ndryshimi i qeverisjes në këtë qytet.
“Shtimja dhe qytetarët e Shtimes kanë nevojë për ndryshim, kanë ndryshim për një frymë të re, kanë nevojë për një qeverisje të re, për arsye se për 17 vite me radhë qeverisë një parti dhe 17 vite me radhë në Shtime qeverisë një njeri, i cili Shtimen e ka shndërruar në geto, e ka shndërruar në një vend ku nuk ka demokraci, e ka shndërruar në një vend ku nuk respektohet fjala e lirë e qytetarit, e ka shndërruar në një vend ku nuk merren parasysh mendimet dhe vlerësimet e qytetarit të Komunës së Shtimes. Qeverisja nga viti 2013 deri në vitin 2017 ka qenë qeverisja më e dobët në legjislacionet që kemi pasur në vitin 2017, prandaj nevojë imediate ka qenë ndryshimi”, theksoi Rashiti.
Ai është zotuar se me ardhjen e tij në pushtet do të ketë një administratë funksionale, me teknologji informative të avancuar në shërbim më të mirë të qytetarit.
Rashiti u shpreh se pikë tjetër kryesore e programit të tij, do të jetë edhe arsimi, pasi që ky sektor është i politizuar. Kandidati i pavarur për kryetar të Shtimes, Fatmir Rashiti në zgjedhjet e 22 tetorit ka mbështetjen edhe të AAK-së, AKR-së, LB-së dhe PD-së.