Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, ka thënë se skuadra e tij duhet të ndjekë shembullin e tenistit Roger Federer për ndeshjen kundër Young Boys në Ligën e Kampionëve.
“Djajtë e kuq” do ta fillojnë rrugëtimin e këtij sezoni në fushë me barë artificial, në ndeshjen si mysafir kundër Young Boys. Ndeshja do të zhvillohet sonte në orën 21:00 dhe do të jetë e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.
Përkundër që do të luajnë për herë të parë në fushë me barë artificial, Mourinho nuk mendon se kjo duhet të përdoret si justifikim. Ai kërkon nga lojtarët e ti të mos ankohen, por t’i adaptohen rrethanave.
Strategu portugez e përdori shembullin e tenistit të famshëm zviceran, Roger Federer, i cili ka fituar tetë herë Wimbledonin në terren më barë, por gjithashtu ka fituar tituj në terren të fortë dhe me dhe.
“Të gjithë e dinë se do të jetë më ndryshe. Kam thënë atë që kam pasur ta them në një takim me UEFA-n javën e kaluar në Gjenevë”, ka thënë Mourinho kur u pyet për kushtet e ndeshjes.
“Si shembull, ne jemi në Zvicër, shtëpinë e njërin prej tenistëve më të mirë të të gjithë kohërave. Dhe unë jam i sigurt se ai njeri i madh, nganjëherë nuk është i lumtur me terrenin ku luan, por ai vazhdon dhe kërkon fitore”.
“Të gjithë e dimë se ai ka një terren të preferuar por ai ka fituar edhe në terrene të cilat nuk i pëlqejnë, kështu që edhe ne duhet ta bëjmë këtë”.