Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymar, pritet të mungojë në të dyja ndeshjet kundër Manchester Unitedit, në fazën e 1/8 të finales në Ligën e Kampionëve, për shkak të lëndimit të tij.
Lojtari 220 milionë eurosh i PSG-së mund të detyrohet ta bëjë kyçin e këmbës së tij operacion. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë ai mund ta humbasë të gjithë pjesën e mbetur të këtij sezoni.
Problemi me këmbën e tij të djathtë, i ngjashëm me lëndimin që e mbajti jashtë fushës për tre muaj vitin e kaluar, pritet që t’ia pamundësojë 26-vjeçarit pjesëmarrjen në ndeshjet kundër Manchester Unitedit, më 12 shkurt në Old Trafford dhe më 6 mars në Parc des Princes.
“Do të jetë shumë e vështirë, kjo është e qartë. Është ende shumë herët të flasim për një datë të kthimin. Duhet ta presim javën e parë, që është shumë e rëndësishme, dhe reagimin e parë ndaj trajtimit”, ka thënë trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel.
“Vetëm pasi të fillojë trajtimi dhe ta shohim mënyrën se si po reagon këmba e tij, atëherë mund të vendosim. Mirëpo, do të jetë shumë e vështirë [që ai të luajë kundër Manchester Unitedit].
Megjithatë, përkundër mungesës së Neymarit, PSG-ja e vazhdoi ritmin e fitoreve duke i fituar tri pikët e radhës në Ligue në ndeshjen kundër Stade Rennais të dielën, të cilën parisienët e fituan me rezultat 4-1.