Mesfushori francez i Manchester Unitedit, Paul Pogba, beson se trajneri Ole Gunnar Solskjaer është kthyer në shtëpi dhe i ka sjellë me vete shumë nga cilësitë e ish-trajnerit legjendar të “Djajve të kuq”, Sir Alex Fergusonit.
Drejtuesit e Manchester Unitedit vendosën ta emërojnë ish-sulmuesin legjendar të klubit në pozitën e trajnerit, në dhjetor të vitit të kaluar, pas shkarkimit të Jose Mourinhos.
Misioni për ta shpëtuar Manchester Unitedi iu dha Solskjaerit, i cili në vitin 1999 kishte qenë heroi i klubit, pasi që e kishte shënuar golin e fitores në minutën e fundit të ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve, kundër Bayern Munichut.
Solskjaer deri më tani ka arritur ta kryejë në mënyrë të jashtëzakonshme punën që i është besuar, duke i fituar gjashtë ndeshje radhazi. Për më tepër, norvegjezi ka arritur t’i kthejë në formën e vjetër yjet e skuadrës, si Pogbën.
Trajneri i ri është lavdëruar edhe për mënyrën se si i ka fituar ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Ai ka arritur ta kthejë stilin sulmues të lojës në Old Trafford, gjë kjo për të cilën Pogba është mjaft mirënjohës.
“Asgjë nuk ka ndryshuar, ai është kthyer në kohën e Fergusonit. Stërvitjes, mënyra e mbajtjes së topin, gjithçka është si më parë. Kjo është si shtëpia e tij, edhe ai e di këtë gjë”, ka thënë Pogba në një intervistë për BBC Sport.
“Ai është gjithmonë duke buzëqeshur, është gjithmonë pranë lojtarëve dhe na ndihmon. Të gjithë kanë më shumë respekt për të tani, mirëpo ai është ende i njëjti person”.
“Ne kemi synime. Synimi ynë kryesor është që të kthehemi përsëri në krye. Mund ta arrijmë top katërshen, të gjithë e dimë këtë gjë”.
Manchester Unitedi është gjashtë pikë larg Chelseat, që pozicionohet në vendin e katërt dhe ka baras pikë me Arsenalit, që është ne vend të pestë. Mirëpo, “Djajtë e kuq” do ta kenë mundësinë ta ngushtojnë këtë distancë këtë fundjavë në ndeshjen kundër Brightonit, pasi që Chelsea do të luajë kundër Arsenalit.