Ish-trajneri dhe skauti i futbollit, Michael ‘Kit’ Carson, ka vdekur dje pas një aksidenti në trafik, disa orë para se të fillonte procesi gjyqësore ndaj tij. Carson akuzohej se i kishte abuzuar seksualisht disa djem të rinj në klubin që e drejtonte.
Gjykata e Peterborough ka mësuar se Carson, 75-vjeçar, ka vdekur në një aksident trafiku, ku ishte e përfshirë vetëm makina e këtij të fundit. Aksidenti kishte ndodhur të hënën në mëngjes, ndërsa pak orë më vonë do të fillonte procesi gjyqësore ndaj tij.
Ai akuzohej nga 12 persona për abuzim seksual dhe dënimi ndaj tij pritej të ishte edhe më i lartë se dënimet e zakonshme për abuzim seksual, pasi që në rastin e tij viktimat kishin qenë djemtë e mitur, nën moshën 16-vjeçare.
Megjithatë, Carson i kishte mohuar të gjitha akuzat e shqiptuara ndaj tij dhe gjykata pritej ta merrte vendimin sot për fajësinë apo pafajësinë e tij. Incidentet për të cilët akuzohej Carsoni raportohet se kishin ndodhur përgjatë viteve 1978 dhe 2009.
Carson ishte arrestuar në Cambridge në janar të vitin 2018 dhe akuza ndaj tij u shqiptua në mars të vitit 2018. Procesi gjyqësor pritej të fillonte të hënën, mirëpo avokati i Carsonit kishte kërkuar që seanca të shtyhej për 24 orë, ndërsa sot u bë e ditur se ai dje kishte vdekur në aksident trafiku.