Paralajmërimi i realizimit të një projekti ndërtimor të kompanisë KAWA në zonën e liqenit të Badovcit ka mobilizuar mbrojtësit e mjedisit, të cilët kanë krijuar një grup kundërshtues në rrjetin social “Facebook”.
Nazkmi Hasanramaj nga Klubi Alpin Prishtina, ka bërë të ditur se ky Klub është përpjekur prej disa vjetësh ta zgjerojë Rrjetin Bazik të Shtigjeve Rekreative, por pa sukses.
“Kemi bërë shumë përpjekje që ta zgjerojmë këtë rrjet, ta përshtasim dhe ta bëjmë të qasshëm dhe të sigurt për qytetarë (kjo me përkrahje shumë të vogël). Liqeni i Badovcit nuk rrezikohet vetëm nga ky projekt në fjalë, janë edhe disa të tilla dhe janë duke u avokuar në Komunën e Prishtinës”, ka shkruar Hasanramaj në këtë grup.
Sipas tij, punimi i rrugës në perëndim të liqenit (zona kadastrale e Zllatarit) ku planifikohet kjo lagje, është bërë para dy vitesh dhe ka qenë përgatitje për ndërtimin e kësaj lagjeje dhe për tjera projekte jashtëzakonisht të dëmshme.
“Është projekt i ligë, i dëmshëm dhe vazhdimësi e manisë së ndërtimit të lagjeve të tilla, si formë e shfaqjes së rangut klasor të disa qytetarëve. Për më keq, është krejt ngjitur me zonën e propozuar për mbrojtje (vija e kuqe)”, ka shkruar Hasanramaj.
Sipas tij, rikategorizimi i këtij parku është bërë me propozim nga vet Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor , Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, të cilat ende nuk kanë reaguar ndaj paralajmërimit për projekt ndërtimor në këtë zonë.
Propozimi profesional për rikategorizimin e Parkut Regjional Natyror “Gërmia” është punuar në bazë të Vendimin Nr. 1317/14 të datës 18.03 2014 të nxjerrë nga Kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së.
Një njoftim publik për këtë projekt e ka bërë kompania KAWA dy ditë më parë.
“Pas zyrtarizmit të dokumentacionit, sot u zyrtarizua edhe marrëveshja trepalëshe, për realizimin e projektit ndërtimor të lagjes pranë Liqenit të Badovcit, “Lakeside Gardens”. Ky projekt vjen si bashkëpunim mes KAWA dhe 4M Group, për të ndërtuar deri në ideale atë që është në letër.
Faleminderit gjithashtu pronarit të tokës, Rrahman Haradini, që pronën e tij na besoi neve. Lakeside Gardens do të jetë krenaria e ndërtimit dhe planifikimin për lagje”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.