Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është takuar me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirin, raporton Ekonomia Online.
Në këtë takim Haradinaj tha se kanë biseduar për shumë projekte me interes për qytetarët, si zgjerimi i rrugës nga Lumi i Madh në Mitrovicë.
“Më ka bë përshtypje një punë e kujdesshme e kryetarit edhe e kam pa që është i fokusuar në punë dhe në temat dhe vrapon pas temave që janë në interes të qytetarëve të Vushtrrisë. E vërteta është që niveli qendror ka pasë mundësi me bë më shumë për Vushtrrinë përkundër faktit që kemi ndërmarrë disa veprime që i janë përgjigj interesave të qytetarëve, i kemi edhe disa ngecje janë disa projekte për kyçjen individuale për ujë të pijes, janë disa projekte tjera”.
“Biseduam disa tema si zgjerimin e rrugës dhe intensifikimin e punëve, biseduam unazën por edhe disa prona të tjera, tani në Vushtrri ka metë stacioni i autobusëve ekziston një mundësi me i dhënë në shfrytëzim një pronë që dikur ka qenë e Komunë dhe në Vushtrri me i zgjedhë disa probleme për disa dekada”, tha Haradinaj.
Kryetari i Vushtrrisë, XhaferTahiri, tha se Qeveria e Kosovës po vazhdon investimet në parkun e biznesit në Lum të Madh që është një projekt prej 1.2 milion euro.
“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Qeverinë e Kosovës, sot shpreh mirënjohjen time për zyrën e kryeministrit për punën e bërë gjatë këtyre viteve që kemi bërë edhe për qytetin e Vushtrrisë në të mirë të qytetarëve. Sigurisht që ka shumë projekte të tjera për qytetin e Vushtrrisë për periudhën në vijim e që morëm mbështetje nga kryeministri që do vazhdohen me një intensitet të lartë. Në radhë të parë do fillojmë me një intensitet të madh në zgjerimin e rrugës nga Lumi i Madh deri në Mitrovicë, pastaj për projekte tjera siç është unaza e qytetit të Vushtrrisë e cila do përkrahet financiarisht nga Qeveria e Kosovës”, raporton EO.
“Qeveria e Kosovës po vazhdon investimet në parkun e biznesit më Lum të Madh është një projekt prej 1.2 milion euro, do të kemi një zonë ekonomike moderne dhe do të krijojë mundësimi punësimi për të rinjtë në komunën tonë”, tha Tahiri.