1.3 milionë euro u mblodhën nga shkyçjet e konsumatorëve të KRU Prishtina – Lidhje ilegale në Bërnicë, Çagllavicë e Kolovicë

Prishtinë | 14 Gus 2024 | 08:08 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë 436 shkyçje nga rrjeti i saj, konsumatorëve të cilët kanë pasur borxhe apo atyre që janë kyçur ilegalisht, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe, kompania ka mbledhur borxhe në vlerë prej 1.3 milion euro nga shkyçjet.

Ajo ka theksuar se një porcion të madh të këtyre shkyçjeve e zënë ato ilegale, gjegjësisht 170 prej tyre. Ndërsa, gjatë vikendit, inspektorët kanë zbuluar lidhje ilegale në Bërnicë, Çagllavicë e Kolovicë.

Tutje, Mjeku ka bërë apel te qytetarët që ta shfrytëzojnë ujin për pije dhe higjienë e jo në “destinime të tjera të paarsyeshme”.

“Shkyçje për borxhe kanë qenë 436, shkyçje ilegale 170, vizita për borxhe dhe kontrolle 7800, ndërkaq inkasimi apo mbledhja e borxheve nga shkyçjet është 1.3 milion euro. Ne apelojmë që uji të shpenzohet racionalisht për pije dhe higjienë, nuk kemi ujë për të shpenzuar për destinime të tjera të paarsyeshme. Nuk kemi ujë të pijshëm, sepse uji që ne e marrim në liqene, ai trajtohet në impiante të trajtimit të ujit, nuk duhet ta përdorin në mënyrë të pakontrolluar”, ka thënë Mjeku për EO.

Ajo ka shtuar se KRU “Prishtina” çdo ditë dërgon lëndë tek përmbaruesi i saj privat, për të gjithë borxhlinjtë që kanë mbi 100 euro borxhe. 

“Vetëm gjatë vikendit inspektorët tanë kanë zbuluar disa lidhje ilegale në fshatin Bërnicë, ku ka më shumë, në Çagllavicë si dhe në lagjen Kolovica në Prishtinë. Çdo ditë dërgojmë, nuk mund ta them një numër të sakte, mirëpo çdo ditë zyra ligjore merr informacione, i merr kartelat e konsumatorëve, dhe çdo ditë ne dërgojmë lëndë tek përmbaruesit privat për ata që kanë borxhe 100 euro e lartë”, ka thënë Mjeku.

Të ngjashme