Rasti i 400 kg drogë, dënohen me 75 vjet burg të akuzuarit

Prishtinë | 19 Mar 2026 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Janë shqiptuar gjithsej 75 vjet burgim për të akuzuarit në rastin e 400 kilogramëve drogë. Pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, është dënuar me 20 vjet burg, po aq edhe Faton Vrajolli, ndërsa Kadri Sheqiri me 15 vjet. Nga 10 vjet burgim secili morën edhe Kadri Rrahimi dhe Fehmi Bytyqi, raporton Ekonomia Online.

Në këtë rast fillimisht ishin të përfshirë edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, procedura ndaj tyre u veçua. Hyzri Sheqiri u dënua me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale, ndërsa Naim Morina me 6 muaj për të njëjtën vepër.

Përveç dënimit me 20 vjet burg, Izet Sheqiri u gjobit me 60 mijë euro për pjesëmarrje në grup kriminal dhe me 3 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Faton Vrajolli u dënua me 20 vjet burg dhe 30 mijë euro gjobë.

Kadri Sheqiri u dënua me 15 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë.

Kadri Brahimi u dënua me 10 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë.

Fehmi Bytyqi u dënua me 10 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë.

Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi iu caktohet masa e paraburgimi, ndërkaq të tjerëve iu vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Gjykata vendosi që të konfiskohet edhe sasia e narkotikut dhe mjetet që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, dhe arma për të cilën u shpall fajtor i akuzuari Izet Sheqiri.

Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Izet Sheqiri, pronari i kompanisë “MC FOOD”, Sh.p.k, po akuzohet se ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe udhëheqës i grupit të organizuar kriminal, ku ka koordinuar aktivitetet kriminale dhe ka mbajtur një rol mbikëqyrës mbi gjithë operacionin.

Sipas aktakuzës, Sheqiri ka caktuar rolin e anëtarëve të grupit të organizuar kriminal brenda një hierarkie, ashtu që me të akuzuarin tjetër Faton Vrajolli kanë planifikuar të importojnë substancën narkotike të llojit kokainë në sasi prej 400 kg.

Këtë sasi të kokainës, sipas prokurorisë kishin planifikuar ta vendosnin brenda një sasise të produktit të mishit të bardhë, për importimin e të cilës duke shfrytëzuar kompaninë “MC FOOD” Sh,p.k. kanë lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kompanisë “SEARA” nga Brazili.

Pronari i kompanisë “MC FOOD”, thuhet se në vazhdimësi ka mbajtur kontakte me shoferin, tani të akuzuarin Fehmi Bytyqi, lidhur me ecurinë e transportimit. Bytyqi thuhet se ka qenë i caktuar për transportimin e kokainës nga Shqipëria për në Kosovë.

Bëhet e ditur se i akuzuari Bytyqi, me të arritur në terminalin doganor në Fushë-Kosovë, pasi është hapur kontejneri për kontrollë, incizon mallin brenda kontejnerit ku ishte substanca “dhe menjëherë ia dërgon të pandehurit Izet Sheqiri, për ta siguruar se substanca narkotike kishte arritur të futet në Republikën e Kosovës”.

Me këtë, i akuzuari Izet Sheqiri ngarkohet me veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par. 1, lidhur me nenin 275, par. 1, pika 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së.

Përveç kësaj, Izet Sheqiri akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje të tipit pistoletë “Tulla Tokarev” TT-33”, që mbante 7 copë fishekë dhe 43 copë fishekë që Policia i ka gjetur në shtëpinë e të akuzuarit në Prishtinë.

I akuzuari Izet Sheqiri, në mbrojtjen e tij kishte mohuar faktin se ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet. Mirëpo, sipas prokurorisë mohimi i tij është në kundërshtim me provat, duke shtuar se i njëjti nuk ka mohuar se është pronari i kompanisë “MC FOOD” dhe se në këtë cilësi ka qenë në dijeni gjatë gjithë kohës për hyrje-daljet dhe punët që bëhen në kompaninë e tij.

Të ngjashme