SPERTK: Kriza financiare e RTK-së nuk mund të zgjidhet në kurriz të punëtorëve, kërkohet edhe paga e 13-të

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka ngritur shqetësime për gjendjen financiare, institucionale dhe menaxheriale të transmetuesit publik, duke iu referuar gjetjeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Në një komunikatë për media, SPERTK ka vlerësuar se problemet e evidentuara në raport po ndikojnë drejtpërdrejt te punëtorët e RTK-së, të cilët, sipas sindikatës, prej vitesh po punojnë në kushte të vështira dhe me paga që nuk reflektojnë koston reale të jetesës.

Sindikata ka theksuar se Raporti i Progresit evidenton kufizime të konsiderueshme buxhetore, pronësore dhe të burimeve njerëzore, si dhe mungesën e një modeli afatgjatë dhe të qëndrueshëm të financimit të transmetuesit publik.

“Një ndër çështjet më shqetësuese të evidentuara në raport është fakti se 75 për qind e buxhetit të përgjithshëm të RTK-së shpenzohet për paga, ndërkohë që buxheti i alokuar nuk është në përputhje me kërkesat ligjore dhe me zhvillimet ekonomike, përfshirë inflacionin”, thuhet në komunikatë.

SPERTK ka përmendur edhe detyrimet financiare të krijuara ndër vite, interesin për kredinë qeveritare prej 2.7 milionë eurosh, si dhe obligimin prej 950 mijë eurosh që rrjedh nga vendimet gjyqësore.

Sipas sindikatës, kjo gjendje nuk duhet të reflektohet në cenimin e të drejtave dhe mirëqenies së punëtorëve.

“Është e papranueshme që në një institucion të financuar me para publike, punëtorët të mbeten jashtë përfitimeve dhe të drejtave që u takojnë, ndërsa barra e krizës financiare të reflektohet vazhdimisht në mirëqenien e tyre”, theksohet në komunikatë.

Një shqetësim të veçantë sindikata ka shprehur për përjashtimin e punëtorëve të RTK-së nga paga e 13-të, duke e konsideruar këtë si trajtim të pabarabartë në raport me pjesën tjetër të sektorit publik.

“Në këtë kontekst, SPERTK shpreh shqetësimin e veçantë për përjashtimin e punëtorëve të RTK-së nga paga e 13-të. Ky përjashtim krijon pabarazi në trajtimin e punonjësve të sektorit publik dhe shpërfill kontributin e punëtorëve të RTK-së në realizimin e misionit të transmetuesit publik”, thuhet në reagim.

SPERTK ka theksuar se, nëse Raporti i Progresit konstaton se buxheti i RTK-së nuk është në përputhje me ligjin dhe inflacionin, zgjidhja duhet të jetë sigurimi i financimit adekuat dhe jo kufizimi i mëtejmë i të drejtave të punëtorëve.

“Kriza financiare e RTK-së nuk mund të zgjidhet duke kursyer në kurriz të punëtorëve. Ata nuk janë përgjegjës për bllokadat institucionale, mungesën e një modeli të qëndrueshëm të financimit apo problemet e akumuluara ndër vite në menaxhimin e institucionit”, thuhet në komunikatë.

Përballë kësaj situate, sindikata u ka drejtuar pesë kërkesa institucioneve të Kosovës: sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm për RTK-në, trajtimin e barabartë të punëtorëve dhe përfshirjen e tyre në pagën e 13-të, harmonizimin e pagave me inflacionin, investimet në kushtet e punës dhe pajisjet teknike, si dhe garantimin e stabilitetit institucional e menaxherial.

SPERTK ka kërkuar që gjetjet e Raportit të Progresit të shërbejnë si alarm për ndërhyrje urgjente institucionale, duke theksuar se mbrojtja e transmetuesit publik duhet të nisë edhe nga mbrojtja e punëtorëve të tij.

“RTK-ja është shërbim publik, ndërsa punëtorët janë shtylla mbi të cilën qëndron ky shërbim. Mbrojtja e transmetuesit publik fillon edhe me mbrojtjen e atyre që çdo ditë punojnë për të”, thotë komunikata.

Të ngjashme