Numri i vendeve të punës që janë hapur nga sipërmarrës privat me prejardhje të huaj në periudhën mes viteve 2005 – 2016 është rritur në më shumë se një të tretën, duke arritur në 1.3 milionë vende pune
1.3 milionë vende pune nga bizneset e emigrantëve
Sipas një studimi, sipërmarrësit me prejardhje të huaj janë krijues të vendeve të punës në Gjermani. Vitet e fundit ata kanë arritur të krijojnë më shumë se një milionë vende pune – jo vetëm në gastronomi.
Sipërmarrësit me prejardhje të huaj në Gjermani sigurojnë një numër në rritje të vendeve të punës. Numri i vendeve të punës që janë hapur nga sipërmarrës privat me prejardhje të huaj në periudhën mes viteve 2005 – 2016 është rritur në më shumë se një të tretën, duke arritur në 1.3 milionë vende pune.
Numri i sipërmarrësve me prejardhje migracioni është rritur në të njëjtën periudhë me një të katërtën në 709.000 vetë. Kjo vlen të theksohet, sepse në krahasim me vitin 2015 përqindja e njerëzve me sfond migrimi në popullsi është rritur më pak se nëntë për qind. Se sa të mëdha janë efektet në tregun e punës kjo varet shumë nga çdo shtet federal: në veçanti u rrit dukshëm numri i vendeve të punës nga bizneset e emigrantëve në Bavari, Baden-Vyrtenberg, Hesen dhe Berlin. Megjithatë, në shtetet perëndimore gjermane ka pasur zbritje, si në Saksoninë e Poshtme, në Hamburg dhe në Renani – Pfalc.
Jo vetëm shitës sufllaqesh
Ndryshime ka edhe lidhur me degën e ekonomisë, se ku shënon rritje numri sipërmarrësve me prejardhje migracioni: „Kush flet për ekonominë e emigrantëve në Gjermani, shpesh i shkon mendja ende tek kioskat në lagje apo restoranti kinez, ku bashkëpunon e gjithë familja. Të dhënat tregojnë se ne duhet t’u themi lamtumirë këtyre klisheve“, vërehet nga studiuesit.
Pra sipas studimit përqindja tradicionalisht e lartë e sipërmarrësve me prejardhje të huaj në tregti, apo gastronomi në krahasim me vitin 2005 ka rënë me dhjetë për qind nga 28 për qind që ishte në vitin 2014. Ky zhvillim ka shkuar në favor të sektorëve të tjerë të shërbimeve, ndërtimit apo qendrat e përpunimit. Konstatohet, se sipërmarrësit migrantë kanë kontribuar në korporatat me intensitet prodhimi përtej sektorit të ekonomisë me paga të ulëta: „Ky kontribut nis qysh nga kontabilisti, për të vazhduar me themeluesit e Start-up e deri tek prodhuesit e suksesshëm të makinerive“, thuhet në studim.
Hendeku i të ardhurave të emigrantëve dhe banorëve hershëm
Aktivizimi si sipërmarrës privat i emigrantëve ka qenë edhe motori i të ardhurave të tyre: Ata si sipërmarrës përfitojnë mesatarisht gati 2200 euro netto në muaj, 40 për qind më shumë se sa të punësuarit me sfond migrimi.
Krahasuar me njerëz pa histori emigrimi, megjithatë, ekziston një hendek. Emigrantët dhe pasardhësit e tyre arrijnë në Gjermani mesatarisht rreth 30 për qind të ardhura më të ulëta se sa njerëzit pa sfond emigrimi. Arsyet për këtë, ekspertët i shohin në nivelin e ulët të arsimit të sipërmarrësve emigrantë. Për shkak se ata janë më gjatë në treg, shumë sipërmarrës kanë një avantazh më të madh, thuhet në studim. “Sa i përket avancimit në sektorët më fitimprurës emigrantët ndodhen në fazë fillestare.” Arsimi këtu luan rol kyç, siç tregon sondazhi në lendet federale. Sa më mirë të jenë të arsimuar emigrantët e pavarur në një vend, aq më e lartë do të jetë shkalla e angazhimit si sipërmarrës privat.