1 vit burgim me kusht për burrin që goditi një grua me grushte e shuplaka

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, me gjykatës Sabit Sadikaj, ka dënuar me një vit burgim me kusht të akuzuarin V.V., i cili sipas aktakuzës e kishte goditur me shuplaka dhe grushte, si dhe me thikë i kishte gërvishtur dorën e majtë të dëmtuarës N.N.

Shpallja e vendimit u bë nga gjykatësi Sadikaj, i cili tha se i akuzuari dënohet me një vit burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, me kusht që brenda tre viteve të mos kryejë ndonjë vepër të re penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të dëmtuarën gjykata e udhëzoi për realizimin e kërkesës pasurore në kontest të rregullt juridiko-civil, ndërsa palët që janë të pakënaqura kanë të drejtë ankesë për vendimin e arsyetuar brenda afatit prej 30 ditësh.

Prezent në shpalljen e vendimit nuk ishte i akuzuari V.V., as nga Prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, datë 3 gusht 2022, thuhet se më 27 maj 2022 në Fushë Kosovë, i pandehuri V.V., duke ushtruar presion ndaj dëmtuarës N.N. për të hapur telefonin e saj, e ka goditur në kokë me shuplaka dhe grushta, dhe pastaj me thikë i ka gërvishur dorën e majtë afër bërrylit, duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Për këto veprime, V.V. ngarkohet me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

V.V. ngarkohet edhe me veprën penale “Shtrëngim”, por gjykata ka veçuar këtë çështje duke e deleguar paraprakisht në Departamentin për të Mitur.

Të ngjashme