Përpara se t’u dhuroni një libër bashkëshorteve apo të fejuarave, bëni kujdes: historia e letërsisë është e mbushur me gra që tradhtojnë. Më poshtë një renditje e disa prej personazheve më të famshme që kanë tradhtuar në libra. Por lista mund të jetë edhe më e gjatë. Kush dëshiron, mund të shtojë vetë të tjera.
“Ana Karenina”, Leon Tolstoi
I gjithë faji është i takimit në stacionin e trenit, mes Ana Kareninës, grua e martuar dhe bukuroshit Vronski, i cili i rezervon një vëmendje këmbëngulëse. Me kalimin e kohës, Ana do të jepet para joshjes së tunduesit, në dëm të një bashkëshorti gjithnjë e më të fokusuar tek puna si funksionar qeveritar. Por as tradhtia dhe as hekurudhat nuk do i sjellin fat protagonistes së këtij super klasiku që nuk duhet të humbet në asnjë mënyrë.
“Madamë Bovari”, Gustav Flobert
Një tjetër grua e famshme jobesnike është protagonistja e një tjetër romani shumë të bukur të letërsisë evropiane të tetë qindës. Ema martohet me Carls Bovarinë naiv. I cili, në këmbim të përkushtimit, merr nga e shoqja gënjeshtra dhe një seri tradhtish me burra të tjerë. Ai, burri me brirë, do ta kuptojë kur të jetë bërë me të vërtetë shumë vonë.
Kiti, “Velloja e pikturuar”
Histori ciftesh britanike të sërës së lartë, të transferuara për punë në Orientin e kolonive. Ajo, me pamje magjepsëse, e tradhton me një bukurosh, edhe ai i martuar. Kiti i rrëfen gjithçka të shoqit, e bindur se i dashuri do të divorcohet ashtu si ajo dhe do ta ndjekë pas. Por gabohet. Dhe ky është vetëm fillimi i një prej romaneve më të mirë të letërsisë angleze të nëntë-qindës.
Gjinevra (nga Romancat e Tryezës së Rrumbullaktë)
Tradhëtia mitike, e rrëfyer në shumë libra, që nga ata mesjetarë të ciklit breton dhe përsëritur më pas në shumë vepra nga shekulli XII e deri tek romanet e sotëm. Gjinevra është bashkëshortja e kolme e Mbretit Artur, të cilin megjithatë e tradhëton me Lancelotin, më shkathëti i Kalorësve të Tryezës së Rrumbullaktë.
Franceska da Rimini (Dante, “Ferri”, Kënga V”)
Tradhëtia më e njohur në letërsinë italiane është ajo e Francesca da Rimini, e përshkruar nga Dante Aligieri në këngën e pestë të Ferrit, ajo që të gjithë, për fat e mbajmë mend që kur na kanë detyruar ta mësojmë në shkollë. Franceska dhe i dashuri Paolo kapen në flagrancë nga bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij, dhe vriten: do të përfundojnë në rrethin e epshit, përgjithmonë të bashkuar.
Margarita (“Mësuesi dhe Margarita”, Mikhail Bulgakov)
Margarita, bashkëshorte e palumtur, tradhëton një bashkëshort të parëndësishëm me Mësuesin. Dhe për më tepër del nga shtëpia krejt lakuriq, fluturon në catitë e qytetit, lëshohet në marrëzinë e një feste satanike ku është mbretëreshë. Bashkë me mace që flasin dhe djaj.
Helena (Homeri, “Iliada”)
Tradhëtia tipike. Por në Iliadën e Homerit, Helena është një grua e trishtë, viktimë e bukurisë së saj të tepruar dhe magjisë me të cilën perëndesha e dashurisë, Afërdita, e ka nënshtruar. Nuk ishte Helena që donte të tradhtonte të shoqin, Menelaun me Paridin, që ajo e përçmon. Në këngën VI, Helena e trajton Paridin si burracak, dhe duket sikur preferon më shumë kunatin e tij, Hektorin.
Hester, (“Damka e turpit”, Nathanil Hothërn)
Edhe në këtë rast, gruaja jo besnike përfundon keq: këtu e gjejmë, në trekëmbësh madje, e dënuar me vdekje në Amerikën puritane të një herë e një kohe. Damka e titullit është germa A, që Hesteri duhet ta mbajë në veshje, me qëllim që të turpërohet për fajin e saj para komunitetit, sa herë që del nga shtëpia. Por libri i Hothorn është në të vërtetë një denoncim ndaj bashkëkohësve të tij. Roman i suksesshëm që nga botimi i parë, sot në krye të letërsisë amerikane, bashkë me Mobi Dikun.
Dona Florípides Guimarães (“Dona Flor dhe dy bashkëshortët e saj”, Jorge Amado)
Letërsia e tradhëtisë di të jetë edhe e gëzueshme, pa e prishur cilësinë e shkrimit: Dona Flor e Amados i vë brirët bashkëshortit me burrin e mëparshëm. Dhe ky i fundit, Vadinho, nuk është vetëm një dashnor i zjarrtë: rezulton madje edhe i vdekur. Marrëdhëniet jashtëmartesore, në rrëfimin e Amados, janë gjithësesi të shpeshta: nga Teresa Batista e lodhur nga lufta, një mulate e bukur e martuar me një latifondist të pasur por që e tradhëton, e deri tek Gabriela Garofano dhe Kanela, e kapur në shtrat me shokun më të mirë të bashkëshortit.
Koni Shatërlei (“I dashuri i zonjës Shatërlej”, D. H. Lorens)
Gruaja më jo besnike e Nëntë-qindës letrare mund të jetë Zonja Shatërlej: pas një rinie libertine martohet me aristokratin Kliford Shatërlej, i cili është i pasur dhe fisnik, por shumë shpejt tregon se është pak i prirur të përmbushë detyrimet martesore. Prandaj Zonja e konsideron një budalla, dhe e tradhëton vazhdimisht me një burrë të pashëm, me të cilin lidhja është vetëm fizike.
Lista e grave jo besnike në letërsi është edhe më e gjatë. Nëse doni mund të shkruani më poshtë në rubrikën komente. (Bota.al)