10 raste të zjarrvënies së veturave në Veri janë raportuar gjatë vitit 2023. Në një përgjigje për Gazetën Express, Policia e Kosovës ka njoftuar se 10 raste të tilla janë raportuar edhe gjatë vitit 2022.
Policia ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e autorëve.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e kryesve të këtyre veprave penale. Janë intervistuar ankuesit/viktimat dhe një person është arrestuar me dyshimet e arsyeshme se ka kryer këto vepra penale në komunën e Zubin Potokut”.
Për zjarrvënien e veturave në Zubin Potok, të shtunën Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin, Milovan Bozovic. Përpos djegies së veturave, ai është i dyshuar edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar që të mbrojë jetën dhe pronën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe me të gjitha kapacitetet është duke punuar në identifikimin e personave, strukturave kriminale që janë përfshirë në këto raste dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.”