10 shenjat paralajmëruese të kancerit të qafës së mitrës që nuk duhet t’i injoroni

Prishtinë | 08 Kor 2023 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Vlerësimi me kujdes i disa simptomave paralajmëruese ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjes së kancerit në qafën e mitrës, kohë në të cilën trajtimet mund të jenë efikase dhe më pak të mundimshme për pacientet.

Kundrejt shtimit të rasteve të reja që raportohen çdo vit më këtë sëmundje, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, apelojnë për më shumë kujdes në vlerësimin e 10 simptomave paralajmëruese të sëmundjes, të cilat nuk duhet që t’i injoroni në asnjë rast.

Në kuadër të Javës së Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës (22-28 janar), autoritetet e ISHP-së thonë se duhet të dyshoni për praninë e kësaj sëmundjeje nëse konstatoni simptoma të tilla, që kanë të bëjnë me praninë e periodave të zgjatura në kohë, me gjakderdhje vaginale jo normale midis cikleve menstruale, praninë e sekrecioneve vaginale jonormale.

Të tjera simptoma paralajmëruese të kësaj sëmundjeje janë edhe: “Gjakderdhja vaginale pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale, prania e dhimbjeve gjatë kontaktit seksual, parehatia apo dhimbjet gjatë urinimit, parehatia vaginale, dhimbjet e mesit, dhimbjet në fund të barkut, lodhja e shpeshtë që mund të shkaktohet nga humbja e oreksit dhe rënia e pashpjegueshme në peshë”.

Ndërkohë që bëhet e ditur se në fazat më të avancuara të sëmundjes, shfaqen edhe shenja të tjera më të rënda. Bluzat e bardha thonë se nuk janë të pakta rastet në të cilat shumë nga pacientet i neglizhojnë këto simptoma, duke u paraqitur tek mjeku pasi sëmundja te ketë përparuar në fazat më të rënda, kur trajtimi bëhet më i vështirë dhe shpesh pa rezultat.

“Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet kontrollit dhe vaksinimit. Tashmë është e provuar se programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80 për qind të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.

Sipas ekspertëve të ISHP-së, masa e parë parandaluese duhet të nisë me kryerjen e vaksinës kundër HPV-së që në moshën 9-vjeçare. Efektet e kësaj vaksine janë të vlefshme edhe në mosha më të rritura, mjafton që të kryhet para nisjes së aktivitetit seksual.

Po ashtu çdo femër rreth moshës 21 vjeç duhet të kryejë Pap-testin e parë, të cilin më pas duhet ta ripërsërisë çdo tre vjet. Ndërkohë që gjatë moshës 30 vjeçare, krahas këtij testi duhet të bëni rregullisht edhe analizat për HPV, për të kapur në kohë çdo rrezik të mundshëm për zhvillimin e kësaj sëmundjeje.

Mjekët bëjnë me dije se ju mund të reduktoni rrezikun për t’u prekur nga kjo sëmundje nëse përdorni prezervativ sa herë që kryeni marrëdhënie seksuale, për të shmangur kështu marrjen e virusit që shkakton sëmundjen, virus i cili njihet si HPV.

Më pak të rrezikuar jeni edhe në rastet kur vononi në kohë marrëdhënien e parë seksuale, kur keni pak partnerë, kur jeni vaksinuar për HPV, kur bëni rregullisht analizën për HPV, ose Pap-test, si dhe kur shmangni duhanpirjen.

10 simptomat dalluese për kancer të qafës së mitrës

-Perioda më të bollshme dhe të zgjatura.

-Gjakderdhje vaginale jo normale midis cikleve menstruale.

-Sekrecione vaginale jonormale.

-Gjakderdhje vaginale pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale.

-Dhimbje gjatë kontaktit seksual.

-Parehati apo dhimbje gjatë urinimit.

-Parehati vaginale.

-Dhimbje mesi.

-Dhimbje në fund të barkut.

Të ngjashme