Rrjetet sociale po nxisin gjithnjë e më shumë trendin e “lëkurës perfekte” dhe rutinave të komplikuara për të arritur të ashtuquajturën “glass skin” te adoleshentët.
Shumë prej tyre po u besojnë këshillave të influencuesve në videot “Get Ready With Me” (GRWM), në vend që të ndjekin rekomandimet e profesionistëve.
Por a kanë vërtet nevojë adoleshentët për një rutinë të kujdesit të lëkurës me shumë hapa?

Për dermatologun konsulent Dr. Jonathan Kentley, një nga ndikimet më shqetësuese të rrjeteve sociale është ekspozimi i vazhdueshëm ndaj “imazheve të standardeve jorealiste të bukurisë”.
“Kam parë mijëra pacientë dhe nuk kam parë kurrë dikë me ‘glass skin’. Nuk mendoj se ekziston dhe janë thjesht këto imazhe të tejfiltruara që i bëjnë fëmijët të mendojnë se kjo është diçka e arritshme, kur në të vërtetë nuk është”, shprehet ai.
Poret e dukshme, pikat e zeza, puçrrat, njollat, skuqja dhe shenjat në lëkurë janë krejtësisht normale gjatë adoleshencës, thotë Dr. Kentley. Megjithatë, ai thekson se ajo që konsiderohet “normale” ndryshon nga personi në person.
“Nuk mendoj se ka diçka që mund të quhet vërtet anormale”.
Më shumë se 80% e të rinjve të moshës 13 deri në 18 vjeç përjetojnë akne gjatë viteve të adoleshencës.
Dermatologia konsulente Dr. Zainab Laftah shpjegon se shumica e problemeve të lëkurës që shfaqen gjatë pubertetit lidhen me testosteronin, i cili nxit rritjen e prodhimit të yndyrës në lëkurë dhe shfaqjen e akneve.
Djemtë mund t’i përjetojnë këto probleme më shpesh, por edhe vajzat prodhojnë testosteron dhe për këtë arsye mund të kenë shumë prej të njëjtave simptoma.
“Ky proces, së bashku me bllokimin e folikulave të qimeve dhe inflamacionin, çon në shfaqjen e pikave të zeza, pikave të bardha dhe puçrrave të inflamuara. Aknet janë shumë, shumë të zakonshme, janë normale dhe mund të trajtohen”, shpjegon Dr. Laftah.
Acidi salicilik, i dobishëm, por jo për tepricë
Acidi salicilik, një përbërës aktiv i zakonshëm që depërton në poret e mbushura me yndyrë dhe ndihmon në largimin e grumbullimit të sebumit dhe qelizave të vdekura të lëkurës.
“Mund të jetë veçanërisht i dobishëm për adoleshentët me lëkurë të yndyrshme ose të prirur ndaj akneve”, thotë Dr. Laftah.
Megjithatë, ajo paralajmëron se përdorimi i panevojshëm ose i tepruar mund të shkaktojë tharje dhe irritim.
Nëse një adoleshent përballet me akne të rënda apo probleme të tjera serioze të lëkurës, Dr. Kentley këshillon të kërkohet ndihmë nga mjeku i familjes ose dermatologu, në vend që të ndiqen këshilla në rrjetet sociale për mënyrën e trajtimit.

5 këshillat e ekspertëve për kujdesin ndaj lëkurës së adoleshentëve
Tre produkte bazë janë të mjaftueshme: një pastrues i butë, një hidratues pa aromë dhe një krem mbrojtës me spektër të gjerë, me SPF 30 ose më të lartë.
Një rutinë e komplikuar, me eksfolim të shpeshtë ose acide të forta, mund të irritojë lëkurën e re. Ekspertët kujtojnë se barriera mbrojtëse e lëkurës është ende në zhvillim dhe përdorimi i tepërt i produkteve mund ta dëmtojë atë.
Dr. Kentley thotë se ka vënë re një rritje të ndjeshme të rasteve të dermatitit perioral te adoleshentët, i cili lidhet me përdorimin e tepërt të përbërësve që dëmtojnë barrierën e lëkurës, si acidet hidroksi eksfoliuese dhe retinoidet.

Dr. Laftah shton se adoleshentët po adoptojnë gjithnjë e më shumë rutina të ngjashme me ato të të rriturve, me serume, tonikë, maska dhe përbërës aktivë të shumtë.
“Këta përbërës aktivë mund të dëmtojnë barrierën e lëkurës dhe të çojnë në probleme të tjera të saj”, shpjegon ajo.
Nivelet e larta të kortizolit, të lidhura me një dietë të pasur me karbohidrate të rafinuara dhe sheqer, si dhe mungesa e gjumit, janë lidhur me shfaqjen e puçrrave.
Dr. Laftah thekson rëndësinë e një gjumi të mirë gjatë natës.
“E dimë se mungesa e gjumit rrit nivelet e kortizolit, i cili është një hormon stresi dhe mund të çojë në shpërthime aknesh”, thotë ajo.
Ndërkohë, Dr. Kentley thotë se studimet kanë lidhur dietat e pasura me ushqime me karbohidrate, si orizi i bardhë dhe makaronat, dietat me shumë sheqer, si dhe proteinën e hirrës që gjendet në disa pije proteinike, me përkeqësimin e akneve.
Megjithatë, ai thekson se lëkura e çdo personi është individuale dhe se “disa njerëz mund të vërejnë se gjëra të tjera u përkeqësojnë gjendjen e lëkurës”.
Shtrydhja e puçrrave mund të rrisë inflamacionin duke e shtyrë përmbajtjen e tyre më thellë në lëkurë. Kjo mund të çojë në shfaqjen e shenjave dhe ndryshimeve të ngjyrës së lëkurës.
Nëse aknet janë të vazhdueshme, të dhimbshme, cistike ose kanë filluar të lënë shenja, duhet kërkuar këshillë mjekësore, pasi shpesh mund të jetë i nevojshëm një trajtim me recetë.

Në lidhje me djemtë:
Shumë prej problemeve të lëkurës gjatë adoleshencës lidhen me androgjenet, një grup hormonesh që gjenden edhe te vajzat, por që janë më të pranishme te djemtë.
“Prandaj, lëkura e meshkujve ndonjëherë mund të jetë pak më e yndyrshme dhe mund të shfaqen më shumë puçrra. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe ata përballen me rritjen e qimeve në fytyrë dhe fillimin e rruajtjes, gjë që mund të shkaktojë irritim”, shpjegon Dr. Kentley.
“Nëse nuk rruhesh siç duhet, mund të zhvillosh folikulit, i cili në njëfarë mënyre lidhet me aknet. Kjo mund të shkaktojë dëmtime të konsiderueshme të barrierës së lëkurës dhe shumë inflamacion”, shton ai.
Këshillat e Dr. Kentley për rruajtjen dhe mbrojtjen e lëkurës së fytyrës:
-Rruajtja pas dushit, kur lëkura është e ngrohtë, është ekspozuar ndaj avullit
-Përdorni një furçë rroje për të ngritur qimet nga sipërfaqja e lëkurës.
-Përdorni një produkt lubrifikues, si shkuma e rrojës ose xheli i dushit.
-Gjithmonë në drejtimin në të cilin rriten qimet.