Në shkurtin e vitit 2008 një vajzë e re nga Peja vlerësohej si sportiste e talentuar dhe me perspektivë.
Si ajo vlerësoheshin edhe shumë e shumë sportistë të tjerë të vendit. Dhjetë vjet më vonë, asnjë nuk është si ajo, madje as për së afërmi.
Në dekadën e parë të ekzistimit të shtetit të Kosovës, 2008 – 2018, Majlinda Kelmendi ka bërë ecje të jashtëzakonshme dhe ka prekur nivelet më të larta të mundshme. Ajo ka prekur kulmin në sportin e xhudos dhe vlerësohet të jetë figura më e njohur dhe më e suksesshme e Kosovës në dhjetëvjetëshin e parë të funksionimit si shtet, shkruan Koha Ditore në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovë.
Majlinda vazhdimisht merret si shembull suksesi për shtetin e Kosovës, si një rrëfim suksesi. Emri i saj është përmendur në nivelet më të larta politike botërore, sa herë që drejtues të vendit, por edhe zyrtarë ndërkombëtarë, kanë argumentuar shpalljen e Pavarësisë dhe njohjen e shtetit të Kosovës.