Afro 100 banorë nga Lugina e Preshevës, të cilët jetojnë në Komunën e Gjilanit, kanë aplikuar për marrjen e lejes për qëndrim të përkohshëm në territorin e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur Zyra për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, e cila është themeluar në kuadër të qeverisjes komunale të Gjilanit dhe që merret edhe me trajtimin edhe të ankesave që kanë banorët e Luginës së Preshevës të cilët jetojnë në Gjilan tash e 20 vjet, mirëpo ende nuk kanë arritur që ta fitojnë shtetësinë e Kosovës.
Përgjegjësi i Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Jonuz Hasani, ka bërë të ditur se është takuar me qytetarët të cilët përballen me telashe, si pasojë e mungesës së dokumentacionit dhe se ata i kanë këshilluar për mënyrën e aplikimit, shkruan sot Koha Ditore.
“100 aplikues, të cilët vetëm i ka dorëzuar dokumentet, mirëpo ende nuk është kthyer përgjigje nëse pranohet. Në udhëzim administrativ thuhet se brenda 60 ditëve kryhet procedura e marrjes së shenjave të gishtave, por edhe që kryhet aplikimi komplet me marrë këtë letërnjoftimin të përkohshëm që është për 5 vjet”, ka thënë ai.
Sipas tij, ka frustrime nga një pjesë e atyre të cilët janë në pritje të marrjes së shtetësisë së Kosovës ngase po u kërkohen dokumente për të cilat po kanë vështirësi në sigurimin e tyre. “Janë duke i maltretuar pa nevojë dhe po u kërkohen dokumente të cilat nuk edhe janë të nevojshme kur është në pyetje marrja e shtetësisë. Sepse, kjo ndahet në dy kategori, disa aplikojnë për shtetësi në rast se i kanë dokumentet gati, disa aplikojnë për leje qëndrim”, ka thënë ai.
Mirëpo, me punën e Zyrës për Preshevë nuk është e kënaqur Lëvizja Vatra. Sipas këtij subjekti, përgjegjësi i Zyrës për Luginën, Jonuz Hasani, nuk i njeh ligjet në fuqi dhe i cili po huton edhe më shumë banorët e Luginës sa u përket procedurave të cilat duhet të ndiqen me rastin e aplikimit, qoftë për shtetësi të Kosovës apo për qëndrim.