Ramush Haradinaj ka mbushur 100 ditë në krye të Qeverisë së Kosovës, por nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë për heqjen e vizave me BE-në gjatë kësaj periudhe kohore për shkak të mosratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit.
Ramush Haradinaj ka mbushur njëqind ditë në krye të Qeverisë së Kosovës, por nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë në fushatë që qytetarëve brenda kësaj periudhe kohore t’u hiqen vizat me Bashkimin Evropian (BE).
Kjo për faktin e dështimit të ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, si njëri nga dy kushtet e mbetura të BE-së për heqjen e vizave.
Shefi i Qeverisë dje ua ka dorëzuar raportin 100-ditor të punës presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli, si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Derisa Thaçi dhe Veseli e kanë vlerësuar lartë punën 100-ditore të Qeverisë, partitë opozitare thonë se kjo e fundit e ka dëmtuar vendin si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, si dhe ka arritur ta instalojë një kabinet të madh qeveritar me shumë ministra dhe zëvendësministra, shkruan “Zëri”.
Thaçi: “Kosova e Re”, lajmi më i mirë i 100-ditëshit
“Faleminderit shumë kryeministër, unë e vlerësoj lart punën që ke bërë në këto 100 ditë për angazhimin tuaj. Unë dua të besoj që vendi po ecën në drejtim të duhur me trendin dhe me dinamikën e duhur, kështu që ju jam mirënjohës për punën”, ka thënë presidenti Thaçi pas dorëzimit të raportit 100-ditor të punës nga Haradinaj.
Thaçi ka vlerësuar lart marrëveshjen e nënshkruar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, duke e cilësuar si njërin nga projektet më të rëndësishme për Kosovën.