Italia nga dje ka ashpërsuar masat kundër Covid-19, përfshirë edhe vendosjen e rregullores së re për hyrje në këtë shtet. Nga këto masa nuk ka shpëtuar as Kosova. Sot rreth njëqind pasagjerë janë kthyer pas nga Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Nga 16 dhjetori, kosovarët mund të udhëtojnë në Itali vetëm për nevoja urgjente, shëndetësore dhe për studime.
Rreth njëqind pasagjerë janë kthyer mbrapshtë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi donin të udhëtonin për në Itali. Një udhëtarët, Ardall Celina, ka thënë se rreth 100 pasagjerë nuk janë lejuar që të hypin në aeroplanë pa asnjë njoftim paraprak.
Sipas tij, atyre u është thënë në aeroport se nuk mund të hyjnë në aeroplan për shkak se Italia i ka ndryshuar rregullat e hyrjes e që ndërlidhen me masat kundër pandemisë.
“Ne kemi rezervuar për të shkuar në Itali dhe jemi rreth 100 pasagjerë me pasaporta të Kosovës. Nuk janë duke na lënë me hip në aeroplan se po na thonë që kanë ndryshuar diçka rregulloret. Nuk po na e japin asnjë letër për të na informuar e as që sot nuk mundemi me hip në aeroplan. Para dy orësh ‘Wizzarit’ na bëri thirrje që të vijmë dhe të mos vonohemi për ‘check-in’. Nuk ka asnjë informatë zyrtare”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë çështje janë deklaruar edhe nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”. Zëdhënësja Valentina Gara ka thënë se këta pasagjerë nuk janë lejuar që të regjistrohen sot në sportel për shkak të ndalesave të reja të shtetit italian.
“Ne vazhdimisht ju kërkojmë udhëtareve që para se të udhëtojnë t’i referohen rregullave të fundit të shtetit për ku ata udhëtojnë. Udhëtarët të cilët sot nuk janë lejuar të regjistrohen në sportel është për shkak të ndalesave te reja te shtetit Italian te cilat janë edhe te publikuara ne ëeb faqen zyrtare te Ambasadës së Italisë në Kosovë. Prandaj lusim udhëtaret që çdo ankesë të tyre ta dërgojnë në kompaninë ajrore me të cilën kishin planifikuar udhëtimin”, ka thënë ajo.
Sipas rregullave të reja që janë marrë , duke filluar nga data 16 dhjetor deri më 31 janar 2022, hyrja në Itali e personave që kanë kaluar tranzit ose kanë qëndruar në Kosovë (ose në një shtet tjetër të përmendur në listën “E”) në katërmbëdhjetë ditët para hyrjes në Itali, lejohen vetëm për një nga arsyet ose kushtet e mëposhtme: nevoja pune; urgjencë absolute; arsye shëndetësore; arsye studimi; kthim në vendbanim, banesë apo vendqëndrim; hyrje në territorin kombëtar e shtetasve të Shteteve anëtare të Bashkimit evropian, të Shteteve pjesë e marrëveshjes Shengen, të Andorra-s, të Principatës së Monako-s, të Republikës së San Marino-s, të Shtetit të Vatikanit, dhe e familjarëve të tyre (bashkëshort/partner, fëmijë nën moshën 21 vjeç apo në ngarkim, prindër në ngarkim); hyrje në territorin kombëtar e shtetasve të Vendeve të treta të cilët janë të pajisur me leje qëndrimi afatgjatë në bazë të udhëzimit 2003/109/CE të Këshillit, datë 25 nëntor 2003, lidhur me statusin e shtetasve të Vendeve të treta të pajisur me leje qëndrimi afatgjatë, si edhe shtetas të Vendeve të treta të cilët gëzojnë të drejtën e vendbanimit sipas dispozitave të tjera evropiane apo rregulloreve kombëtare, dhe e familjarëve të tyre; hyrje në territorin kombëtar për të arritur në vendbanim, banesë apo vendqëndrimin e një personi sipas gërmave f) dhe h), edhe jo bashkëjetues, me të cilin ekziston një lidhje afektive e provuar dhe e qëndrueshme dhe pjesëmarrjeje, nga ana e atletëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe anëtarëve të komisioneve të garave, përfaqësuesve të shtypit të huaj dhe shoqëruesve në gara sportive në nivel konkurrues të njohura si gara me interes kombëtar nga Komiteti olimpik kombëtar italian (CONI) dhe Komiteti italian paralimpik (CIP) e të rregulluara nga protokoll i posaçëm sigurie i ndërmarrë nga subjekti organizator i ngjarjes, shkruan gazeta Express.
Ndërkaq lëvizjes nga Italia drejt Kosovës lejohen nëse udhëtarët posedojnë dokument që vërteton vaksinimin e plotë (dy doza); dokumentin që vërteton vaksinimin e pjesshëm (një dozë), të lëshuar jo më vonë se një muaj përpara dhe testin molekular të kryer deri në 48 orë përpara; dokument që vërteton vaksinimin e pjesshëm (një dozë) së bashku me një certifikatë që vërteton kapërcimin e sëmundjes (lëshuar jo më vonë se gjashtë muaj më parë).