100 praktikantë do të kryejnë praktikë në tetë ministri dhe në Zyrën e Kryeministrit. Kështu u bë e ditur në promovimin e punësimit multietnik në institucione, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pos në këto institucione, do të ketë vend edhe në disa komuna të Kosovës. Ai për këtë, iu dha përkrahjen e tij si kryeministër.
“Duke angazhuar 100 praktikantë të rinj, me prioritet të rinjtë nga komunitetet joshumicë, së bashku kemi mundësuar praktika për të rinjtë nga të gjitha komunitetet’’, theksoi kryeministri Kurti i cili po ashtu shprehu kureshtjen që të dëgjonte nga praktikantët për përvojat nga praktika duke shpresuar që kanë mësuar gjëra që mund t’ju shërbejnë për karrierën e tyre të mëtutjeshme profesionale.
Praktikantët e programit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, treguan për rrugëtimin e tyre dhe mundësinë që të jenë pjesë e kësaj zyre, derisa falënderuan kryeministrin për hapësirën dhënë atyre për t’u bërë pjesë e institucioneve të vendit.
“Ju siguroj që do ta keni përkrahjen time për fillim të mbarë të karrierave tuaja profesionale brenda institucioneve tona. Sepse këto institucione nuk janë të qeverisë por janë tuajat dhe ju në këto institucione jeni në shtëpinë e juaj dhe ju nuk i përkisni vetëm një komuniteti të veçantë por i përkisni profesionit të cilin do ta ushtroni me zell dhe pa pengesa në vendin tuaj të punë” u shpreh ndër të tjerash, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
“Pra tetë ministri dhe zyra e Kryeministrit do të jenë vendet në të cilën këta 100 praktikantë do të munden t’i kryejnë detyrat dhe angazhimet e reja që do t’i kenë. Por, jo vetëm kaq, edhe në institucione komunale dhe organizata joqeveritare në gjithsej 16 komuna, nga Leposaviqi deri në Prizren, nga Peja deri në Ranillug. Unë jam kureshtar të dëgjoj sot nga ju për përvojat nga praktika, dhe shpresoj e besoj që keni mësuar gjëra që mund t’ju shërbejnë për karrierën tuaj të mëtutjeshme profesionale. Por, gjithashtu, më vjen mirë që së bashku me ne sot janë eprorët dhe kolegët, të cilët mund të na tregojnë më shumë për përfitimet që kanë pasur zyrat tona nga diversiteti brenda ekipeve. E dimë nga përvojat e kompanive më të suksesshme botërore se çfarë rezultate mund të sjellë diversiteti te ekipet punuese. Kur punon me kolegë të kulturave, të gjuhëve të ndryshme, hapen mundësitë për të mësuar nga njëri-tjetri qasje të larmishme ndaj punës dhe nga kjo përfitojmë që të gjithë”, ka thënë ndër të tjerash Kurti.
E zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Redzepi, tha se Qeveria e Kosovës do ta ketë prioritet punësimin e këtij komuniteti.
“Kam nderin që si çdo vit t’i përkrahim këtë ide të cilën ambasada norvegjeze bashkë me institucionet tona dhe zyrën për komunitete ofron seanca që ju të kyçeni në sistem të qeverisjes kosovare si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal. Mendoj që kyçja juaj në të gjitha institucionet tregon se ne jemi të gjithë njëjtë por i kemi disa specifika, kjo është një pasuri e madhe, ne para se gjithash jemi njerëz”, tha ajo.