Numri i vdekjeve të këmbësorëve në komunikacionin rrugor krahasuar me vitin e kaluar është rritur dukshëm, raporton EkonomiaOnline.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, krahasuar me tre mujorin e parë të vitit të kaluar, këtë vit numri i këmbësorëve të vdekur është rritur për tetë persona.
Për këtë qëllim Policia e Kosovës respektivisht Divizioni i Trafikut Rrugor, në përkrahje nga Departamenti Koordinues për Siguri Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit kanë lansuar fushatën “Të gjithë jemi këmbësorë”.
Kolonel Jeton Rexhepi, tha se qëllimi i kësaj fushatë është që të vetëdijesojnë pjesëmarrësit në trafik, në mënyrë që të ulet numri i vdekjeve të këmbësorëve.
“Numri i aksidenteve në përgjithësi por edhe i atyre me fatalitet të jetë më i vogël apo të jetë më i reduktuar” tha Rexhepi
Fejzullah Musfafa nga departamenti koordinues i Këshillit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor në Ministrinë e Infrastrukturës, tha se kjo fushatë është në vazhdën e angazhimeve për ngritjen e sigurisë në trafik.
“Ne nuk do të ngelim me kaq, prapë do të kemi edhe fushata tjera vetëdijesuse, që tani jemi duke punuar edhe në projekte të reja që do t’i kemi bashkërisht me Policinë e Kosovës, në fund ju falënderoj të gjitha medieve sepse jeni duke bërë një punë jashtëzakonisht të mirë duke sensbilizuar situatat e sigurisë rrugore”, tha ai.
Kjo fushatë ka për qëllim sensibilizimin e këmbësorëve për sigurinë në trafik.