Kanë nisur punimet në rrugën Bibaj – “Driton Islami” në Ferizaj, në të cilën priten të investohen 1 milion e 300 mijë euro, raporton Ekonomia Online.
Kjo rrugë ka një gjatësi prej 2.2 km dhe në kuadër të këtij projekti do të asfaltohen edhe 7 rrugica tjera që lidhen me këtë rrugë. Krahas rrugës, do të punohet edhe në kanalizimin përgjatë këtij aksi rrugor.
Ky projekt është në kuadër të kyçjes M6 që do t’i ofrohet Komunës së Ferizajt në autostradën “Arbën Xhaferi”, pas marrëveshjes që pritet të arrihet me kompaninë “Bechtel Enka”, pasi Qeveria kishte marrë vendim javë më parë që Ferizaj të ketë kyçje në autostradën “ Arbën Xhaferi”.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj tha se si ministri janë të vendosur të mbështesin komunat dhe ky projekt është në kuadër të kyçjes së re që do t’i ofrohet komunës së Ferizajt në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ai shtoi se edhe ky projekt i sotëm është dëshmi e vendosmërisë së dhe diaksterit që ai drejton që Ferizaj të marrë pamje tjetër sa i përket infrastrukturës rrugore.
“ Ne si ministri e Infrastrukturës po i mbështesim komunat sepse mendojmë që gjithçka niset me zhvillim. Ne si ministri asnjëherë nuk do të hezitojmë që të mbështesim këto projekte që ndikojnë në zhvillimin e bizneseve me kyçje edhe kjo do të jetë një kyçje në rrugën M6 që do të fillojë pas marrëveshjes që do të bëjmë me “Bektel Enken” dhe shpresoj që Ferizaj do të marrë formën e një qendre që do të jetë lëvizshmëria e njerëzve më tepër se sa ka qenë” u shpreh Lekaj.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, falënderoi Qeverinë, Kuvendin dhe ministrinë për mbështetjen që po i ofrohet kësaj komune.
Ai konsideron që ky projekt është me të gjitha parametrat ku do të përfshihet edhe kanalizimi atmosferik.
“ Sot jemi me një projekt i cili ka një kosto mbi 1 milion e 300 mijë euro dhe ka një segment rrugor prej 2 2 km si dhe disa rrugë që përfshihen në kuadër të këtij aksi rrugor me gjatësi 4 km ku ka edhe kanalizim atmosferik. Është me të gjithë parametrat dhe më lejoni të uroj banorët dhe qytetarët e Ferizajt për këtë projekt dhe të gjitha projektet që do të vinë”, tha Ali, raporton EO.