Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetësisë dhe shtetndërtimit.
Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e përvjetorit të vendimit të GjND-së.
“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me ShBA-të.
“Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rrugë e vetme për të arritur qëllimet tona si shtet. Zoti e bekoftë Kosovën”, është shprehur Haradinaj.