Fotografi nga arkivat dhe aso të ditëve të sotme, kopje tapish, dokumente e materiale të ndryshme dëshmojnë gjenocidin që xhandarmëria serbo-ruse kreu ndaj shqiptarëve.
Në fundin e vitit 1877 dhe fillimin e vitit 1878 do të ndodhte një prej krimeve më të ashpra, kur sipas disa shënimeve u dëbuan rreth 300 mijë shqiptarë nga trojet e tyre.
Si rezultat i këtij spastrimi etnik, u zbrazën 746 fshatra dhe qytete si Nishi, Prokupla, Leskoci e Vraja, shkruan sot “Koha Ditore”. Ata që ikën u strehuan nëpër vendet përreth, ndërsa ata që mbetën u asimiluan. Shumica prej atyre vendeve ishin mbi 70 për qind të banuara me shqiptarë. Sot s’ka më gjurmë të tyre, pos disa toponimeve që ende i kanë shpëtuar kohës ndonëse me shtrembërime sllave.
Krimi ndaj muhaxhirëve, është përkujtuar nga Shoqata Shqiptare e Muhaxhirëve Mbarëkombëtarë. Në ekspozitën “140 vjet nga dëbimi i shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit”, e hapur të hënën në Muzeun Kombëtar të Kosovës, janë paraqitur tri periudha.
Përmes fotografive të mbledhura nga arkiva personale, që i janë dhuruar shoqatës paraqitet periudha e parë, ajo e vitit 1877, në kohën kur nisi dëbimi i shqiptarëve. Periudha e dytë sjell tapitë, dokumentet, librat dhe materiale të tjera që dëshmojnë se tokat e caktuara i kanë takuar familjeve shqiptare. Ato janë të shkruara në osmanishte. Ndërsa, periudha e tretë sjell fotografi që paraqesin fshatrat se si duken sot.
Ekspozitën, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Zyra e kryeministrit të Kosovës, e ndihmuan me materiale e fotografi shoqata e historianëve “Herodoti”, Muhamed Jashari, Selim Dragobuzhda, ndërsa e përgatitën Dibran Fylli e Asllan Qyqalla.