144 pozita udhëheqëse me ushtrues detyre në SHSKUK

Prishtinë | 26 Qer 2017 | 09:37 | Nga

144 pozita udhëheqëse mbahen me ushtrues detyre në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar. Këtë të dhënë e ka publikuar Auditori Gjeneral, në raportin e të cilit janë evidentuar edhe shumë parregullsi të tjera.

Në 45 raste në QKUK dhe shtatë në QKSUK, pozitat udhëheqëse vazhdojnë të mbahen si punë sekondare.

Zyrtarët në fjalë kanë kontratë të rregullt pune dhe përfitojnë pagë primare edhe nga Universiteti i Prishtinës, raporton KTV.

Auditori e vlerëson si të rrezikshëm mbulimin e pozitave të rëndësishme nga Ushtrues Detyre më gjatë se afati i paraparë ligjor.

“Pozitat menaxheriale me pagë sekondare, mund të shkaktojnë rezultate jo të mira në punë, pasi për udhëheqjen e pozitave drejtuese kërkohet angazhim i plotë kohor”, vlerëson auditori.

Ky institucion ka vërejtur mangësi të shumta edhe në menaxhimin e kujdestarive, sidomos në ndërrimin e natës, ku në nëntë raste, prej të cilave dy në QKUK, katër në Spitalin e Prizrenit dhe tri në Spitalin e Gjilanit.

Këto kujdestari ishin kompensuar me rreth 1 mijë e 800 euro, në mungesë të dëshmive për mbajtjen e tyre.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka vetëm 2 punëtorë në Njësinë e Auditimit të Brendshëm dhe, sipas auditorit, me këtë numër të kufizuar të stafit në raport me madhësinë e organizatës, plani i auditimit nuk është realizuar në tërësi.

Edhe Menaxhimi i të hyrave në këtë institucion është përcjellë me mangësi.

Auditimi ka evidentuar se në SHSKUK nuk ka një zyrtar të të hyrave dhe është angazhuar një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu, janë identifikuar disa mangësi në zhvillimin e procedurave të rekrutimit, të cilat janë zhvilluar përmes konkursit publik.

Te konkursi për pozitën e Drejtorit të Klinikës së Urologjisë në QKUK, mungonin aplikacionet dhe dokumentet përkatëse të kandidatëve për përgatitjet e tyre profesionale.

Sipas auditorit, mospërfillja e procedurave me rastin e rekrutimit të stafit mund të rezultojë me mosefikasitet operacional, pasi që persona joadekuatë mund të caktohen në pozitat e caktuara, duke penguar arritjen e objektivave të organizatës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme