QKUK: Onkologjia ka furnizim të rregullt me Keytruda, jo të gjithë pacientët i plotësojnë kriteret për ta marrë

Prishtinë | 03 Nën 2026 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Klinika e Onkologjisë ka njoftuar se aktualisht ka furnizim të rregullt me barin imunoterapeutik Keytruda (Pembrolizumab).

Ky medikament u jepet pacientëve sipas indikacioneve të përcaktuara në Listën e Barnave Esenciale (LBE), transmeton IndeksOnline.

Sipas QKUK-së, në kuadër të kësaj liste, terapia ofrohet për pacientët me kancer të mushkërive me PD-L1 mbi 10%, në kombinim me kimioterapi, si dhe për pacientët me melanomë malinje të stadit III.

“Lidhur me rastin e pacientes për të cilën është kërkuar informacion, dhe është bërë mediatike sqarojmë se ajo fillimisht është trajtuar me rrezatim dhe kimioterapi për kancerin e qafës së mitrës. Pas një periudhe kohore, sëmundja ka përparuar dhe janë paraqitur metastaza. Për këtë arsye, pacientja ka vazhduar trajtimin me kimioterapi, por sëmundja ka vazhduar të përparojë.

Pas vlerësimit nga mjekët dhe testimit për PD-L1, pacientja fillon linjën tjetër, me kimioterapi dhe imunoterapi (Pembrolizumab), si mundësi e mëtejshme e trajtimit” deklaron QKUK.

Ky kombinim i barnave për rastin konkret, përjashtim Pembrolizumab, është ordinuar dhe marrë në Klinikën e Onkologjisë.

“Pacientes i janë shpjeguar mundësitë e trajtimit dhe është informuar se medikamentin duhet ta sigurojë vetë. Me pëlqimin e saj, ajo ka vendosur ta fillojë këtë trajtim dhe i ka siguruar vetë barnat për dy ciklet e para. Pas këtyre dy cikleve, edhe përkundër terapive, sëmundja prapë avancon dhe ajo vendoset në trajtim paliativ me rrezatim (aktualisht).

Theksojmë se mungesa e mbulimit të këtij indikacioni nga Lista e Barnave Esenciale nuk nënkupton mungesë të barit në Klinikë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Klinika e Onkologjisë ka pasur furnizim me Pembrolizumab dhe të gjithë pacientët që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në LBE e kanë marrë terapinë pa pasur mungesë të këtij medikamenti” thuhet tutje në komunikatë.

Të ngjashme