Rreth 15 asamblistë nga të gjitha komunat e Kosovës janë duke pritur me muaj konstituimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të marrin mandatin në Kuvendet Komunale, duke i zëvendësuar asamblistët të cilët e kanë lëshuar këtë pozitë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
KQZ-ja ka mbetur jofunksionale nga fundi i muajit mars, kur anëtarëve të këtij institucioni u ka përfunduar mandati, ndërkohë presidenti i vendit Hashim Thaçi është duke e prolonguar dekretimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.
Sipas njohësve të çështjeve politike, vonesat e tilla kanë ndikuar në bllokimin e shumë proceseve të cilat janë në kompetencën e KQZ-së.
Ata thonë se Thaçi duke mos i dekretuar përfaqësuesit e partive politike është duke e ndihmuar koalicionin PDK-AAK-Nisma (PAN), pasi ka problem në përzgjedhjen e dy anëtarëve që do t’i përfaqësojë këto tri parti në KQZ.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se 15 asamblistë janë në listat e pritjes për ta marrë mandatin në kuvendet komunale.
“Deri tani në listë për zëvendësimin në kuvende komunale janë duke pritur rreth 15 asamblistë. Kurdo që mbahet mbledhja e KQZ-së do të zëvendësohen këta asamblistë me të tjerët, por pasi Presidenca ta caktojë datën për dekretimin e anëtarëve”, ka thënë Elezi për gazetën “Zëri”