Ditën e parë të dhjetorit të këtij viti, një 15-vjeçare nga Rahoveci është bërë nënë. E mitura ka lindur një vajzë në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”. Detaje për gjendjen e nënës dhe foshnjës kanë dhënë nga ky spital, derisa nga Policia kanë njoftuar se tashmë është hapur rast për “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç”.
Një e mitur nga Rahoveci ka kryer lindje në Spitalin e Gjakovës, mbrëmjen e 1 dhjetorit. Ajo ka lindur një vajzë që pëshon rreth 3 kilogramë.
Për në spital, ajo u shoqërua nga i dashuri i saj katër vite më i vjetër, për të cilin tashmë kanë nisur hetimet.
Detaje për gjendjen e foshnjës dhe nënës ka dhënë Shefi i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Gjakovës, Qamil Hamza.
Hamza i ka thënë se gjendja e nënës dhe foshnjës është e mirë dhe se për rastin janë kontaktuar organet kompetente.
Ai ka treguar se pacientja sot do të lirohet për në shtëpi bashkë me foshnjën.
“Sh.K e datëlindjes 2005 nga Rahoveci ka lind me datë 1.12.2020, në ora 21 e 30 minuta, fëmijë të gjallë të gjinisë femërore me PT 2 890 dhe gjatësi 50 cm Apgar 8/9. Gjendja e nënës dhe foshnjës është e mirë. Janë kontaktuar organet kompetente. Sot, pacientja shkon në shtëpi së bashku me foshnjën”, ka deklaruar Hamza.
Për lindjen e të miturës, Policia është njoftuar nga Spitali vetëm pas dy ditësh.
Zëdhënsi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta i ka thënë Gazetës Express se familjarët e të miturës i kanë thënë hetuesve policor se vajza e tyre ka një vit që bashkëshjeton me një 19-vjeçar.
I njëjti e kishte shoqëruar 15-vjeçaren edhe në spital, derisa po e kryente lindjen.
Me datë 03.12.2020, Sektori Rajonal për Hetime nga DRP- Gjakovë ka pranuar informacion se në spitalin rajonal ,, Isa Grezda” në Gjakovë, respektivisht në repartin e Gjinekologjisë ka kryer lindje një femër e moshës 16 vjeqare. Hetuesit policor kanë kontaktuar me familjarët e të miturës të cilët kanë deklaruar se vajza e tyre ka një vit që bashkjeton me një person i cili po ashtu ishte në shoqërimin e tyre në spital”, ka deklaruar Graishta.
Graishta thotë se për rastin është intervistuar edhe personi i dyshuar, por se pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkohë, në konsultim me prokurorin thotë se është inicuar rasti për “”Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç”.
“Policia në konsultim me prokurorin ka iniciuar rastin tashmë të cilësuar si ”Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç” dhe po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin e çështjes. Deri më tani janë intervistuar të gjithë personat e konsideruar si të nevojshëm për procedurën hetimore ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë”, ka deklaruar Graishta.