1640 stentime në QKUK, 12 milionë euro të qytetarëve të shpëtuara

Prishtinë | 19 Jan 2019 | 11:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rifat Rama, 46 vjeç, me durim, po kalon dhimbjet e një ndërhyrjeje të shpejtë në zemër, të domosdoshme për t’ia shpëtuar jetën.

Menjëherë pasi është pranuar në QKUK, mjekët i kanë vendosur dy stenta që t’ia normalizojnë gjendjen zemrës së tij të rënduar.

“Po ndihem më mirë, më mirë jam, i falënderoj mjekët. Dhimbje kam shumë pak. Kisha dhimbje gjoksi me zihej fryma derisa ecja. Rrija në shpi i shtrirë, nuk mund të ecja. Tash, ta shohim, me emër të Allahut, ishalla nuk kam dhimbje ma. I falënderoj mjekët, mos mbetshim pa ta, po qaj se shumë më këqyrin mirë”.

Që nga 5 shkurti deri në dhjetor të vitit 2018, kardiologët kanë bërë 1640 stentime për 1376 pacientë dhe janë kryer mbi 2500 koronarografi.

Në vitin 2017, ndërkaq,  janë vendosur 768 stenta për 651 pacientë, gjersa janë realizuar 1114 koronarografi.

Vendimi për shërbim 24 orësh në Klinikën e Kradiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë, i marrë nga SHSKUK dhe Ministria e Shëndetësisë, hoqi listën e pritjes për stentim dhe u shpëtoi qytetarëve 12 milionë euro.

“Nëse krahasohen me vitet e kaluara, kemi ngritje të madhe të kualitetit dhe kuantitetit, lista për stentim nuk ekziston, lista për koronarografi, besoj qe brenda dy apo tre muajve, do të eliminohet.

Derën hapur për një intervenim në zemër, pa pritur gjatë, e ka gjetur edhe Bajram Tahiri nga Vushtrria.

Ai është operuar të hënën, një orë pasi është pranuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë.

“Mirë shumë po ndihem, nuk kam dhimbje. Të hënën kam hyrë në operim, normalisht dy ditë ka pasur dhimbje, por jo të padurueshme. Para intervenimit kisha dhimbje të padurueshme, fillonin edhe nga shpina. Pas operimit më dhimbje nuk kam”.

Bajrami është pacienti i 212-të që ka kryer një operim në zemër brenda vitit 2018 në QKUK.

Në vitin 2017 kishte vetëm 128 raste të intervenimeve të këtij lloji.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili,shërbimin 24 orësh në Kardiologjinë Invazive dhe në Kardiokirurgji e quajti  të arritur të jashtëzakonshme.

“Për mua, është një sukses jashtëzakonisht i madh, është një lehtësim për qytetarët, është një e arritur, e cila do t’i kontribuojë shëndetit publik dhe do t’i kontribuojë qytetarëve për vite me radhë. Ta japim një statistikë të vogël: Nga afro 760 stentime sa kanë ndodhur vitin e kaluar. Tani, për një vit tjetër, në vitin, në të cilin ne kemi qeverisur, janë afro 1600 stentime”.

Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ndërkaq, tha se, që kur është marrë vendimi, stafi mjekësor ka bërë punë të mirë, derisa më së shumti ka përfituar pacienti.

“Dua të falënderoj edhe Ministrinë e Shëndetësisë, posaçërisht stafin, i cili ka bërë një punë të madhe me vetëmohim. Pacientët, që kanë përfituar, ndjehen më mirë, ne jemi këtu që pacientëve t’ju ndihmojmë, viti 2019 shpresoj të na gjejë me rezultate edhe më të mëdha, krejt kjo në dobi të pacientëve”.

Këtë vit do të fillojë punën salla e re në Shërbimin e Kardiokirurgjisë  me Kardiologji Invazive dhe Angiografi, i cili do ta largojë listën e pritjes për koronarografi.

Të ngjashme