Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin kundër të akuzuarit A.A për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“I akuzuari A.A është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 17 (shtatëmbëdhjetë) vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues i konfiskimit të armës si mjet i kryerjes së veprës penale”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.
Gjykata thotë se ka vërtetuar se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit A.A., në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike rasti ka të bëjë me veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë” e jo me veprën penale “Vrasje të rëndë” të kryer në bashkëkryerje me të pandehurin A.V. i cili gjendet në arrati.
“Gjykata është e bindur se ka vërtetuar se të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e të pandehurit A.V dhe pasojat e shkaktuara janë si rezultat i shtytjes nga ana e të akuzuarit A.A.”.