Qeveria e Kosovës ka miratuar planin strategjik për punësimin e të rinjve në Kosovë, të përgatitur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
Ministri Skënder Reçica tha se objektiv i këtij plani është punësimi i të rinjve, përmes rritjes së qasjes në tregun e punës për të rinjtë.
“Rritja e punësimit përmes ndërmarrësisë. Ngritja e cilësisë për mësim praktik në shkollë, janë disa nga pikat e planit”, tha ministri Reçica, në mbledhjen e parë të Qeverisë për vitin 2018.
“Për të zbatuar planin e veprimit për rritjen e punësimit të të rinjve është paraparë një kosto prej 17 milionë e 440 mijë euro për tri vitet e zbatimit”, ka shpjeguar Reçica, raporton Ekonomia Online.
Nga buxheti i Kosovës janë paraparë 2 milionë e 294 mijë euro. “Nga vlerësimi i ndikimit financiar nga MF është konfirmuar se nuk ka kosto shtesë për buxhetin e Kosovës. Ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga donatorët”, tha kreu i MPMS-së.