18 mjekë specialistë të Klinikës së Kardiologjisë, i kanë dorëzuar peticion drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, shkarkimin e drejtorit të Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, raporton Ekonomia Online.
Peticioni i drejtohet edhe kryesuesit të Bordit Naim Bardiqi dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia
Në këtë peticion kanë hedhur firmat e tyre 18 mjekë të kësaj klinike, të cilët po kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Kamberit nga detyra e drejtorit për disa arsye.
Në kërkesën që e ka siguruar Ekonomia Online, specifikohen arsyet e kërkesës për dorëheqje si; parregullsi menaxheriale, diskriminim e abuzim duke keqpërdorur pozitën të cilën e ka.
Në letrën e nënshkruar nga 18 kardiologë, përmendet edhe sulmi fizik nga doktor Artan Ahmeti ndaj kolegut të tij, Fisnik Veliu.
I pari sipas tyre është ngritur në pozitë dy javë pas aktit të dhunshëm, përkundër se ndaj tij ishte ngritur procedure e veprës penale
“Më këtë ju njoftojmë zyrtarisht se ne Kardiologët e shërbimit invaziv, elektrostimulimit dhe të reparteve të Klinikës së Kardiologjisë dënojme ashpër sulmin fizik të ndodhur më datën 31.05.2023,në prezenc të kolegëve Kardiolog dhe familjarëve të pacientit, nga Dr.Artan Ahmeti – Kardiolog në cilësi të Zv. Drejtorit të Klinikës se Kardiologjisë, njëherit Kryetar i komisionit për ankesa në SH.S.K.U.K si dhe asistent pran Fakultetit të Mjekësisë në katedren e internos, kryen sulm fizik ndaj Kolegut Dr.Fisnik Veliu – Kardiolog i shërbimit invaziv”.
“Aktualisht i paraqituri në komision disiciplinor nga Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Dr.Lulzim Kamberi i cili të lartcekurin e ngrit në pozitë dy javë pas aktit të dhunshëm, përkundër se ndaj tij ishte ngritur procedure e veprës penale, sulm fizik në vendin e punës, pran organeve përgjegjëse të drejtësisë, rast ky i njohur për opinionin publik përmes mediave elektronike”, thuhet në letrën e nënshkruar nga mjekët.
Sipas tyre, Kamberi në cilësinë e drejtorit të Klinikës, ushtron presion e dhunë psikike me qëllim të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve për rastin e rrahjes.
“Drejtori i Klinikës se Kardiologjisë Dr.Lulzim Kamberi dhe shefat gjatë kësaj kohe ushtrojnë presion dhe dhune psikike më qellim të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve okular nga stafi i lartë, mesëm dhe specializanteve për të relativizuar peshën e aktit të dhunës dhe shpalljen e dhunuesit si të pafajshem në këtë rast. Shkarkimi ose dorëheqja e Drejtorit të Klinikës se Kardiologjisë Dr.Lulzim Kamberi për anshmërinë e dëshmuar ndaj një numri të vogël të stafit të lartë shefave, në këtë rast si dhe shumë raste të tjera, duke mbrojtur haptas aktin e dhunës fizike, paraqet akt të lartë moral dhe ligjor”, thuhet ndër të tjerash në këtë letër.