19 inspektorë të rinj i janë shtuar Inspektoratit të Punës në Kosovë. Inspektorati i Punës ka bërë të ditur se që nga viti 2022 janë rekrutuar 38 inspektorë të rinj.
Sipas njoftimit nga ky Inspektorat, numri total i inspektorëve të punës ka arritur në 60.
“Inspektoratit të Punës i shtohen edhe 19 inspektorë të rinjë të punës. Që nga viti 2022 e deri më tani Inspektorati i Punës ka rekrutuar 38 inspektorë të rinjë të punës duke e ngritur numrin total të inspektorëve të punës në 60. Numri i inspektorëve të punës do të vazhdoj të rritet me qëllimin e mbikëqyrjes sa më të mirë të të drejtave të punëtorëve”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me këtë çështje, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se përveç trefishimit të numrit të inspektorëve, sipas tij janë shtuar edhe kontrollet dhe gjobat për bizneset që nuk e respektojnë Ligjin e Punës dhe të drejtat e punëtorëve.
“Edhe një lajm i mirë: Numri i inspektorëve të punës shkon në 60, nga 22 sa ishte. Pra, gati trefishim i numrit, dhe ende do të rritet. Krahas numrit, janë shtuar edhe kontrollet dhe gjobat për bizneset që nuk respektojnë Ligjin e Punës dhe të drejtat e punëtorëve. Ka shumë sfida, por gradualisht dhe sigurt po e bëjmë ndryshimin”, ka shkruar Murati në Facebook.