Më 28 nëntor të vitit 1941, prefekti i asaj kohe i Prishtinës, Hysen Prishtina, kishte lëshuar dekret për vendosjen e flamujve nëpër institucione shtetërore dhe dyqane.
Flamuri kombëtar duket se sefte nëpër institucionet e Kosovës është përdorur në vitin 1941. Kështu bën të ditur gazetari Bajram Mjeku, nëpërmjet një njoftimi në facebook.
“Sot 75 vjet më parë, prefekti i Prishtinës, Hysen Prishtina lëshoi dekret, përmes të cilit kërkoi që institucionet shtetërore dhe dyqanet në Prishtinë, të vendosnin flamurin me shkabën dykrenare, për të shënuar 29-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, shkruan ai.
Mjeku shton se një manifestim i madh kulturor më 28 Nëntor të vitit 1941 i udhëhequr nga prefekti Qazim Bllaca, u organizua edhe në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve në Prizren.
Postimi i tij i plotë:
“Kur u përdor zyrtarisht flamuri kombëtar në Kosovë?
Sot 75 vjet më parë, prefekti i Prishtinës, Hysen Prishtina lëshoi dekret, përmes të cilit kërkoi që institucionet shtetërore dhe dyqanet në Prishtinë, të vendosnin flamurin me shkabën dykrenare, për të shënuar 29 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Prefekti i Prishtinës ishte vetëm 25 vjeç dhe kishte mbaruar studimet për agronomi në Romë.
Një manifestim i madh kulturor më 28 Nëntor të vitit 1941 i udhëhequr nga prefekti Qazim Bllaca, u organizua edhe në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve në Prizren.
Përvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, u shënua solemnisht edhe në prefekturat tjera të Mbretërisë shqiptare në Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj e qytete të tjera.
Foto: Hysen Prishtina në kabinetin e Prefekturës në Prishtinë.”