Ismaili kërkon të shtohen vizitat te nënat dhe fëmijët nëpër shtëpi

Prishtinë | 04 Tet 2018 | 11:03 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vizitat e infermiereve në shtëpi për nënat dhe fëmijët duhet të vazhdojnë edhe përkundër sfidave, tha ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili, në takimin me infermieret nga 14 komunat të cilat janë pjesë e programit për vizita të nënave dhe fëmijëve në shtëpi.

Ai kërkoi që infermieret të mos gjejnë arsyetime për të mos vizituar nënat dhe fëmijët nëpër shtëpi.

Ismaili tha se investimi në shëndetësi është po ashtu edhe investim në suksesin e secilit.

Kreu i MSh-së kërkoi që të rritet numri i grave të cilat vizitohen nga infermieret, pasi sipas tij, nënat dhe fëmijët kanë nevojë për mbështetje profesionale.

“Ne e dimë që spitalet e përgjithshme e marrin vëmendjen e madhe. Mirëpo puna e palodhshme dhe ndihmën që ju e realizoni është një ndihmë shumë e madhe. Nuk ka më mirë se shëndeti i fëmijës në atë kohë me pas edhe një ndihmesë profesionale. Unë e kuptoj që keni sfida shumë të mëdha,” është shprehur Ismaili.

“Vizitat në shtëpi përgjatë Kosovës kanë fillu me ra. Disa vende po bëjnë më pak se që kanë bërë. Unë po mundohem mos me gjet arsyetime. Na është mirë me gjet arsyen pse po ndodh dhe me gjet zgjidhjen ndaj arseve, e jo arsyetimeve.”

“Nëse ju nuk e krijoni një vullnet dhe me mbush boshllëkun, do nana dhe do fëmijë s’kanë me i pas këto vizita. Nëse na nuk e vnojmë në qendër pacientin, nuk kemi me arrit me mbush misionin tonë. Ju lutem ta shfrytëzojmë këtë momentum të mirë. Jemi duke i parë do rritje të buxhetit, jemi duke i pa do rritje të rrogave, jemi duk e rrit buxhetin për barna, ky është momentum i mirë.”

“Ra ky projekt u takun gra më pak, fëmijë më pak, një pjesë të përgjegjësisë së madhe e kem na që jemi këtu. Jam me juve, nuk jeni vet por kërkoj pak prej juve me pas aktivitet më të madh, mbusheni boshllëkun, mos lejoni me ra numri i vizitave”.

Drejtori i QKMF në Gjilan, Fejzulla Berisha, duke ofruar përkrahjen sikur deri më tani. Ai tha se vizitat në shtëpi për nënat dhe fëmijët janë shumë të rëndësishëm.

Ndërsa Agron Gashi nga UNICEF, tha se përkrahja për këtë projekt nuk do të mungojë.

“Ne e përkrahim plotësisht këtë program. Në këtë proces shpesh herë po thojmë që jemi familje. Nuk jeni vetëm. Nuk ka kthim mbrapa. Ministri është zotu që të gjithë fëmijëve me i ofru shërbime në shtëpi. Ne si UNICEF e përkrahim ministrinë. Është shumë impresionuese me pa familjet se sa shumë e çmojnë,  kur dikush ju shkon në shtëpi. Është një punë e madhe dhe këtë punë na duhet me vazhdu,” deklaroi Gashi.

Gjatë këtij viti janë realizuar 7936 vizita në shtëpi. Këto vizita aktualisht zhvillohen në 14 komuna, Prizren, Dragash, Gjakovë, Fushë-Kosovë, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Viti, Shtime, Dardanë, Kaçanik dhe Hani i Elezit.

Deri në fund të vitit 2018 nga këto vizita pritet të përfitojnë edhe Drenasi, Vushtrria dhe Skënderaj.

 

Të ngjashme