Marrëveshja e nënshkruar me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për Pallatin e Rinisë dhe Sportit e ka futur në obligime të mëdha Komunën e Prishtinës.
Për vite të tëra AKP-ja, e cila e kishte çuar në likuidim ndërmarrjen e Pallatit të Rinisë, nuk i ka shlyer borxhet, që po i numëroheshin nga shumë anë, këtij aseti të kryeqytetit, shkruan sot Koha Ditore.
E të gjitha këto obligime me nënshkrimin e marrëveshjes i janë bartur Komunës së Prishtinës.
Drejtues të AKP-së kanë deklaruar për “Kohën Ditore” se Komuna ka qenë në dijeni për të gjitha borxhet dhe obligimet që ka ndërmarrja.
Ndërkohë që në Komunën e Prishtinës kanë zgjedhur të mos përgjigjen në pyetjet e gazetës, që janë drejtuar në katër adresa, përfshirë edhe kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti. Ky i fundit i ka parë pyetjet e gazetës, por nuk është përgjigjur në to.