2 persona u vranë dhe 9 të tjerë u plagosën nga një shpërthim gazi në një shkollë të ciklit të ulët në Mineapolis të Shteteve të Bashkuara. Trupi i një recepsionisti 47 – vjeçar u nxor nga rrënojat, 10 orë pas shpërthimit dhe flakëve që shkaktoi rrjedhja e gazit.
Ende i zhdukur vazhdon të jetë një 81-vjeçar, me të cilin familjarët nuk kanë pasur asnjë kontakt gjatë orëve të fundit. Dyshohet se ai mund të ketë humbur jetën brenda në ambientet e shkollës dhe ndodhet nën rrënoja.
9 persona të tjerë punonjës të shkollës janë në spital, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Fatmirësisht nuk ka patur fëmijë mes të lënduarve, pasi shkolla nuk është në funksion të plotë nga sezoni i pushimeve verore.
Shkaqet e sakta të shpërthimit nuk dihen, por dyshohet për një pakujdesi gjatë punimeve për rinovimin e sistemit të ngrohjes me gaz, që po kryen ditët e fundit. Shkolla ka një profilizim fetar të krishterë dhe është themeluar prej 1913-ës. Në të studiojnë rreth 800 nxënës, nga klasa e parë në të 12-ën.