Të paktën 20 persona kanë vdekur pas shpërthimit të një makine bombë në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota.
Dhjetëra persona të tjerë raportohet se janë të lënduar pas shpërthimit që ka ndodhur në pjesën jugore të qytetit.
Drejtuesi i automjetit që po ashtu ka mbetur i vdekur është identifikuar si një mashkull 57 vjeçar.
Në ndërkohë, asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Presidenti i vendit, Ivan Duque, e ka përshkruar këtë ngjarje si një “akt terrorist të tmerrshëm” derisa ka shpallur tri ditë zie kombëtare.
Ajo që dihet deri tani për këtë sulm është se makina e tipit Nissa Patrol është futur brenda Akademisë së Përgjithshme Policore Santander ku po mbahej një ceremoni për kadetët.
Kur vetura është ndaluar nga rojat e sigurimit në pikën e kontrollit, drejtuesi i makinës e ka përshpejtuar atë duke e goditur kështu një mur, ku edhe makina shpërtheu.