2019-a, viti i ngritjes së Kosovës në futboll

Prishtinë | 02 Jan 2020 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Viti 2019 ishte atraktiv, emocionues dhe i suksesshëm për Kombëtaren e Kosovës në futboll, e cila i tejkaloi pritshmëritë dhe pati edhe ngritje në ranglistën e FIFA-s.

“Dardanët”, për herë të parë morën pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian të futbollit, të cilat u zhvilluan nga muaji marsi deri në nëntor.

Kosova, që ka vetëm tri vjet nga pranimi në UEFA dhe FIFA, ishte në Grupin A, bashkë me Anglinë dhe Çekinë favorite si dhe Bullgarinë e Malin e Zi.

Debutimin, “Dardanët” e shënuan në “Fadil Vokrri”, kundër Bullgarisë, më 25 mars, transmeton KTV. 

Stadiumi ishte i vogël për t’i zënë të gjithë të interesuarit për t’i parë nga afër yjet kosovare.

Në fund, ndeshja u mbyll 1:1, pavarësisht dominimit dhe rasteve të shumta që pati Kosova.

Golin e parë në kualifikime për Evropian e realizoi Arbër Zeneli.

Më 7 qershor, Kosova e zhvilloi ndeshjen e dytë si mysafire e Malit të Zi, duel që u luajt pa shikues dhe u mbyll 1:1. Për “Dardanët”, realizoi Milot Rashica.

Edhe ndaj malaziasve Kosova ishte më e mirë, por nuk arriti të marrë pikë të plota, ani pse ishte në epërsi.

Përveçqë lëshoi 2 pikë, humbi edhe yllin Arbër Zenelin, i cili u lëndua dhe nuk mundi të luajë në ndeshjen kualifikuese gjatë vitit 2019.

E treta doli të jetë e vërteta për Kosovën e përzgjedhësit Bernard Challandes.

Triumfi i parë erdhi si mysafir i Bullgarisë më 10 qershor, në ndeshjen më dramatike, ku kosovarët fituan 3:2.

“Dardanët” ishin duke fituar 1:0 me golin e Rashicës, por bullgarët u rikthyen dhe kaluan në epërsi 2:1.

Avantazhin e mbajtën vetëm deri në minutën ‘64, kur Vedat Muriqi e barazon rezultatin në 2:2.

Saktësisht në minutën e 93-të, zëvendësuesi Elbasan Rashani ia doli që harkimin e bukur të Rashicës ta shndërrojë në gol për fitoren historike, triumf që u festua edhe në rrugët e kryeqyteti si dhe në qytetet e tjera.

3 pikë të arta, Kosova i mori edhe në përballje me Çekinë, në ndeshjen e luajtur në kryeqytet, e cila u mbyll 2:1 për kosovarët.

Kosova pranoi gol e para, por ia doli që ta barazojë rezultatin me sulmuesin

Vedat Muriqi, kurse në minutën e 67-të, Mërgim Vojvoda realizoi një gol tinëzar, që ngjante me atë të Origit të Liverpoolit ndaj Barcelonës.

Goli i Vojvodës ua siguroi fitoren “Dardanëve” dhe rriti shpresën për kualifikim në Evropianin e vitit 2020.

Përveç barazimeve dhe fitoreve, Kosova arriti numrin e 15-të të ndeshjeve radhazi pa humbje dhe kishin kaluar 2 vjet që nga disfata e fundit.

Për ecurinë fantastike që nuk e kishte asnjë kombëtare tjetër, shkruanin edhe mediat e mëdha në Evropë.

Më 10 shtator, Kosova e luajti ndeshjen më të madhe në histori të saj, ndaj Kombëtares së Anglisë, në “St Marys” të Southemptonit.

Starti ishte si në ëndërr, ku Valon Berisha shënoi në minutën e parë, për të çuar në këmbë të gjithë shqiptarët.

Megjithatë, reagimi i anglezëve ishte i shpejtë dhe brenda pjesës së parë shënuan pesë herë.

Ndërkaq, në të dytën, Kosova shënoi edhe dy gola dhe krijoi disa raste, por në fund humbi 5:3, duke pësuar disfatën e parë pas 15 ndeshjeve.

Pavarësisht humbjes, “Dardanët” morën lëvdata për paraqitjen dhe u bënë shteti i parë që shënon 3 gola në Angli, që nga viti 2017.

Humbja ndaj anglezëve nuk ndikoi aspak të futbollistët kosovarë, të cilët iu kthyen fitores, së pari në miqësoren ndaj Gjibraltarit 1:0, dhe kundër Malit të Zi, 2:0.

Rrahmani dhe Muriqi shënuan golat e fitores ndaj malaziasve, duke e mbajtur Kosovën në garë për kualifikim dhe në ndeshjen e parafundit e Grupit, ndaj Çekisë do të vendoseshin shumë gjëra.

Përballja kundër Çekisë u vendos të luhet me 17 nëntor në Plzen, për shkak të sigurisë.

Me fitore, Kosova do të afrohej vetëm një pikë larg Evropianit, kurse humbja i eliminonte “Dardanët”.

Ndaj çekëve, Kosova nuk ishte e kompletuar, pasi për shkak të lëndimit mungoi sulmuesi kryesor, Vedat Muriqi, që u lëndua me Fenerbahçen disa ditë para ndeshjes.

Munguan edhe Arbër Zeneli, Herolind Shala e Hekuran Kryeziu.

Edhe kundër Çekisë, Kosova shënoi e para, me Atdhe Nuhiun, gol që i çmendi “Dardanët” e pranishëm në stadium, të cilët pavarësisht vështirësive, kishin udhëtuar nga shtetet e ndryshme të Evropës për ta përkrahur vendin e tyre të lindjes.

Gëzimi nuk zgjati shumë, pasi Çekia shënoi dy gola të shpejtë dhe e fitoi ndeshjen, për ta siguruar kualifikimin në “Euro 2020”.

Në përballjen e fundit të grupit, Kosova u mposht nga Anglia në “Fadil Vokrri” 4:0, duke e pësuar humbjen e terë dhe të parën në shtëpi.

Ndeshja kundër anglezëve bëri jehonë të madhe në mediat britanike dhe evropiane, për mënyrën e pritjes që iu bë Kombëtares së Anglisë dhe tifozëve të saj.

Përderisa në disa vende ata u ofenduan në baza racore, në Kosovë ndodhi e kundërta.

“Welcome Bro”, ishte baneri që pushtoi mediat më të mëdha evropiane.

Anglezët mbetën të mahnitur, duke thënë se e kanë shëtitur botën, por kurrë nuk kanë hasur në mikpritje më të mirë.

Përveç mikpritjes që iu bë Anglisë në Kosovë, pjesë e mediave dhe rrjeteve sociale, ishte edhe përzgjedhësi, Bernard Challandes, i cili u tregua mjaft atraktiv dhe motivues i madh në konferencën për media në Prishtinë, si dhe pas pjesës së parë në ndeshjen kundër Anglisë në Southmpton.

Kosova i tejkaloi parashikimet, pasi përfundoi e treta në Grupin A, pas Anglisë dhe Çekisë.

“Dardanët” mblodhën 11 pikë, duke i lënë prapa Bullgarinë dhe Malin e Zi.

13 gola të shënuar dhe 16 të pranuar, ishte bilanci i Kosovës me Vedat Muriqin i cili ishte shënuesi më i mirë me 4 gola të realizuar.

Interesimi për të parë Kosovën në “Fadil Vokrri” në ndeshjet kualifikuese ishte i jashtëzakonshëm.

Brenda pak minutash, të gjitha biletat online shiteshin dhe kritikat ishin të mëdha, madje dyshohej edhe për manipulime, e ku ndërhyri edhe Prokuroria e Shtetit.

Kosova, edhe përkundër eliminimit nga kualifikimet e rregullta, e ka edhe një mundësi të fundit, atë përmes Ligës së Kombeve.

Me 26 mars do të përballet me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinalen e Ligës D dhe, në rast të fitores, do të kalojë në finale ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Gjeorgji – Bjellorusi.

Kosova A e mbylli vitin 2019 në vendin e 115-të në ranglistën e FIFA-s, duke pasur ngritje për 16 pozita nga viti 2018.

Shkëlqejnë futbollistet, grupmoshat pa befasi

Mbarë kualifikimet qysh në debutim i ka nisur edhe Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave.

Vashat kosovare e mposhtën Turqinë në ndeshjen e parë 2:0, ndërkaq pësuan nga Sllovenia 5:0 dhe fituan në udhëtim tek Estonia, 2:1.

Nga 4 golat e Kosovës, 3 i ka shënuar Modesta Uka, e cila luan te Sturm Grazi.

Me 6 pikë, Kosova që drejtohet nga përzgjedhësja Afërdita Fazlija, është në garë për kualifikim në Evropianin e vitit 2021.

Image

Paraqitje në arenën ndërkombëtare patën edhe grupmoshat e reja, U21, U19, dhe U17, të cilat zhvilluan ndeshje kualifikuese për Evropian.

U21 e trajnerit Rafet Prekazi zhvilloi 5 ndeshje kualifikuese, ku arriti 2 fitore kundër Andorrës dhe Turqisë dhe pësoi tri humbje nga Anglia, Shqipëria dhe Austria. Madje, për disa muaj ishte në pozitën e parë. Matematikisht është ende në garë për kualifikim pasi renditet në vendin e tretë, transmeton KTV. 

Kombëtarja e Kosovës U19, e përzgjedhësit Ramiz Krasniqi, nuk arriti ta kalojë grupin për t’u kualifikuar në “Elite Round”.

“Dardanët” e rinj barazuan me Rusinë, por pësuan nga Polonia dhe Uellsi për t’u eliminuar.

Fatin e njëjtë e pati edhe Kosova U17. Të përzgjedhurit e Besnik Kollarit përfunduan të fundit në grup. Megjithatë, arritën të bëhen top-temë në media dhe rrjete sociale, pasi barazuan 0:0 me kampionen, Holandën. Ndërkaq pësuan humbje nga Sllovenia dhe Uellsi.

“Tripleta’ e Feronikelit dhe gara e ashpër me Prishtinën

Në elitën e futbollit kosovar, Feronikeli ishte kryefjala e vitit 2019, ku arriti të fitonte gjithçka që mund të fitohet brenda një sezoni në Kosovë.

Në krye me trajneri Zekirija Ramadani, skuadra nga Drenasi me mund të madh rrëmbeu titullin më të çmueshëm.

Për trofeun e titullit u luftua deri në xhiron e fundit , ku u vendos kampioni.

Stadiumi “Rexhep Rexhepi”, që nuk zinte më shumë se 4 mijë shikues dhe me kushtet aspak të mira për të pritur një ndeshje të tillë, ishte arena ku u vendos se kush do të mbajë kurorën e më të mirit për 12 muaj.

Feronikeli kishte dy pikë më shumë dhe ndaj Prishtinës, i kryente punë edhe barazimi, transmeton KTV. 

Ndërkaq, ekipit të trajnerit Mirel Josa, i duhej vetëm fitorja për të kthyer titullin në kryeqytet pas 6 vjetësh.

Në fund, Feronikeli shënoi fitore 1:0 me golin e mbrojtësit Yll Hoxha.

Kjo ishte hera e dytë radhazi që kampionati u vendos në xhiron e fundit dhe e dyta që Prishtina nuk ai del që të rrëmbejë titullin në javën e 33-të.

Image

80 pikë të mbledhura, që ishte rekord në futbollin e Kosovës, me 25 fitore, 5 barazime dhe 3 disfata, skuadra nga Drenasi për herë të tretë në histori u shpall kampione.

Me 22 gola të realizuara, Kastriot Rexha ishte shënuesi më i mirë i sezonit.

Nga liga u larguan Liria dhe KEK-u, që përfunduan në dy pozitat e fundit, ndërkaq në barazh mbetën Trepça ’89 dhe Gjilani.

89-shi e mposhti Vëllaznimin dhe mbeti në Superligë, kurse Gjilani triumfoi ndaj Besës për të siguruar mbijetesën.

Në elitë, direkt nga Liga e Parë u inkuadruan Vushtrria dhe Dukagjini. Për klinasit ishte hera e parë pas 16 vjetësh.

Ekipi nga Drenasi ishte i pakonkurrencë edhe në Kupë, ku triumfoi në finale kundër Trepçës ’89 me rezultat të thellë, 5:0.

Kastriot Rexha, me 2 gola, dhe Fazliu, Hoti e Morina me nga një, realizuan në triumfin ndër më të thellit në finale të Kupës. Ndërkaq, Ardian Muja shënoi golin e vetëm për 89-shin.

“Nikli” kaloi fazën parakualifikuese, por dështoi tutje

Për vitin e tretë rresht, skuadrat e futbollit nga Kosova në konkurrencën e meshkujve u paraqitën në garat evropiane.

Feronikeli, si kampion, mori pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, kurse Prishtina në Ligën e Evropës, transmeton KTV. 

Turneu parakualifkues i Ligës së Kampionëve, për herë të parë u mbajt në Prishtinë, ku përveç Feronikelit si nikoqir, morën pjesë edhe tri skuadra të tjera, Santa Colloma e Andorrës, Lincolni i Gjibraltarit dhe Tre Pene e San Marinos.

Në gjysmëfinale, Feronikeli mposhti Loncolnin me rezultat 1:0 me golin e Mendurim Hotiti.

Ndërkaq, në finale triumfoi me rikthim ndaj Santa Collomës 2:1 me golat e Mevlan Zekës dhe Kastriot Rexhës.

Image

Në rrethin e parë kualifikues, kampioni i Kosovës u përballë me TNS The New Seints.

Në ndeshjen e parë në Uells, arriti të barazoi 2:2, ani pse ishte duke humbur 2:0.

Por, kur pritej që Feronikeli të bëhet ekipi i parë kosovar që kalon në rrethin e dytë, ashtu nuk ndodhi, pasi pësoi humbje në “Fadil Vokrri” 1:0 dhe u eliminua për të kaluar në rrethin e dytë të Ligës së Evropës.

Në këtë fazë u përballë me Sllovan Bratisllavën, ku i humbi të dyja takimet. 2:1 si mysafir dhe 2:0 në shtëpi, për tu eliminuar nga garat evropiane, por arkëtoi më shumë se 1 milion euro nga pjesëmarrja në arenën ndërkombëtare.

Prishtina dështoi keq në Evropë, eliminohet nga amatorët e Gjibraltarit

Më keq se Feronikeli, kaloi Prishtina e trajnerit Josa e cila në rrethin para-kualifikues të Ligës së Evropës, u përball me skuadrën amatore nga Gjibraltari, Saint Josephs.

Ishte hera e dytë që Prishtina mori pjesë në këtë garë falë një skuadre tjetër.

Herën e parë ia mundësoi Besa që nuk kishte licencë si fituese e Kupës, kurse të dytën, Feronikeli, pasi e fitoi titullin dhe Kupën.

Image

Në ndeshjen e parë në kryeqytet luajti baras 0:0, kurse në takimin e kthimit humbi 2:0 dhe u eliminua nga Liga e Evropës.

Kritikat ishin të mëdha, sidomos për trajnerin Josa, i cili kishte dhënë dorëheqje por që nuk ishte pranuar nga klubi fillimisht. Por, pas rezultateve negative edhe në sezonin e ri, Josa u nda me Prishtinën pa arritur t’ia sillte titullin që mungon që nga viti 2013.

KFF Mitrovica shkroi historinë, kaloi fazën e parë

Në Ligën e Kampionëve, u paraqit edhe klubi i femrave, Mitrovica që fitoi gjithçka në Kosovë gjatë vitit 2019.

Vashat e skuadrës kosovare shkruan histori duke e kaluar fazën para-para-kualifikuese.

Në tri ndeshje, ekipi i drejtuar nga trajneri Seidi Onbashi, shënoi tri fitore, transmeton KTV. 

Mitrovicaset fituan ndaj Clujit 2:1, NSA Sofias 2:0 dhe Breznicës, 1:0, për të kaluar në fazën tjetër, ku u përballen me gjigantin gjerman Wolfsburg.

Në “Fadil Vokrri” pësuan 10:0, kurse në ndeshjen e kthimit 5:0, për t’u eliminuar nga gara e madhe evropiane.

Image

Ballkani, kampion i stinorit vjeshtor në IPKO Superligë

17 gushti 2019 shënoi fillimin e sezonit 2019/2020 të futbollit kosovar.

Si zakonisht, shumica e klubeve u përforcuan gjatë verës, për të synuar trofe dhe dalje në garat evropiane.

Konkurrenca ishte e madhe, ku 5 klube janë në garë për titull të kampionit.

Befasia e vjeshtës ishte Ballkani i trajnerit Ismet Munishi, i cili pas 17 javësh u rendit i pari, duke u shpallur kampion i pjesës së parë të kampionatit.

10 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje, ishin rezultatet e ekipit nga Suhareka.

Treshja, Blend Baftiu, Arbër Hoxha dhe Jetim Topalli, shkëlqyen duke shënuar së bashku 18 gola, nga 23 sa i shënoi i tërë ekipi i Ballkanit.

Image

Baftiu është edhe shënuesi më i mirë në Superligë me 10 gola, 3 më shumë se Arb Manaj i Trepçës ’89.

Formë të mirë pati edhe Gjilani i super-përforcuar, ku përfundoi në vendin e dytë, kurse Drita u rendit e treta dhe Prishtina e katërta.

Kampioni në fuqi, Feronikeli nuk arriti të mbante formën që pati në sezonin e kaluar duke përfunduar në pozitën e pestë, transmeton KTV. 

Largimi i Zakirija Ramadanit ende pa nisur kampionati, dhe ardhja e malaziasit, Dejan Vukiçeviq, nuk doli të jetë e qëlluar, pasi trajneri nga Mali i Zi nuk pati rezultate të mira dhe u shkarkua nga drejtuesit e klubit. Në vend të tij ka ardhur trajneri Agim Sopi, dhe Albert Bunjaku që do të jetë në cilësinë e këshilltarit.

Flamurtari, Ferizaj, Vushtrria dhe Dukagjini, patën rezultatet më negative dhe janë katër ekipet e fundit në renditje.

Në fund të kampionatit, katër skuadrat e fundit do të bien në Ligën e Parë, pasi nga sezoni 2020/2021, Superliga e Kosovës do të ketë vetëm 10 ekipe.

Me 20 dhjetor, Federata e futbollit e Kosovës ndau shpërblimet për më të mirët e vitit 2019.

Vedat Muriqi i Fenerbahçes dhe Kombëtares së Kosovës, u shpall më i miri.

Ndërkaq, Kastriot Rexha i Feronikelit mori çmimet e lojtarit dhe golashënuesit më të mirë të Superligës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme