2019-ta, vit i ekonomisë dhe punësimit

Prishtinë | 24 Jan 2019 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Ndryshimi në Kosovë ka ndodhur më 9 shtator të vitit 2017, saktësisht para rreth një viti e gjysmë me ardhjen e Ramush Haradinajt në krye të Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, bashkë me ardhjen e tij, ka ndryshuar edhe mentaliteti qeverisës, nga një mentalitet jo dinamik, në një mentalitet tepër dinamik, duke u karakterizuar me një qeveri të gatshme për marrjen e vendimeve dhe veprimeve të shpejta dhe konkrete për fusha dhe çështje të ndryshme. Dihet se në fillim, si Qeveri e Kosovës jemi përballur me disa procese politike, të cilat i kanë shoqëruar qeveritë e kaluara nga viti në vit, duke mos u gjetur zgjidhje për to. Temat, të cilat kanë marrë kohë dhe është investuar mund i madh është edhe ajo për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Malin e Zi, e cila ishte bllokuar për një kohë të gjatë. Po ashtu, një pjesë të punës tonë e ka dominuar edhe dialogu dhe temat rreth dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Tashmë për këto bisedime vendi ynë ka një Ekip Negociator me përfshirjen edhe të opozitës.

Përfundimi i demarkimit të kufirit me Malin e Zi, ka bërë që e gjithë puna në Kabinetin e Kryeministrit Haradinaj dhe në gjithë Qeverinë e Kosovës të orientohet në intensifikimin e agjendës ekonomike.
Se 2019-ta është shpallur vit i ekonomisë e ka thënë edhe kryeministri Haradinaj dhe ashtu do të jetë, sepse ne do të fokusohemi fort në krijimin e kushteve, në rend të parë për bizneset vendore, përmirësimin e ambientit e të bërit biznes në vend e gradualisht do të fokusohemi edhe në tërheqjen e investimeve të huaja, pasi që si vend kemi kapacitete të mëdha, jo vetëm në fushën e energjisë, por edhe në fusha të tjera.

Fillimi i punës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” i parashikuar për në mars të këtij viti, me një kapacitet prej 500 megavatëve, si dhe investimi prej 1.3 miliard euro deri në vitin 2023, kur edhe pritet të funksionalizohet do të kishte impute të madh për ekonominë. Me fillimin e investimeve në projektin më të madh në vend, përveç punësimit të qytetarëve të Kosovës, ky proces do të ishte edhe një mesazh i mirë për investitorët e huaj, të cilëve përmes kësaj iu dëshmojmë se si Kosovë dhe Qeveri e Kosovës, kemi kushte dhe potencial të madh për investime. Po ashtu përfundimi i këtij projekti do ta bënte Kosovën vend, me një imazh të sigurt dhe stabil në sytë e të gjithë investitorëve të huaj.
Se këtë vit priten investime të reja e dëshmon edhe Ligji për Investime Strategjike, i cili në mënyrë specifike trajton dhe ua lehtëson punën investitorëve, të cilët dëshirojnë të investojnë në vendin tonë. Tashmë janë 11 investitorë strategjikë në kualifikim e sipër dhe gati dy miliardë euro investime, ku shumica e tyre janë të interesuar për të investuar në sektorin e energjisë, transportit, turizmit dhe fusha të tjera.

Fuqizimi i bizneseve vendore

Si Qeveri e Kosovës, nga fillimi i mandatit i kemi pasur në fokus të veçantë bizneset vendore, por gjatë këtij viti do ta kemi një fokus më të madh tek bizneset, të cilat merren me prodhim, duke kontribuar kështu edhe në rritjen e punësimit në vend.

Në fuqizimin e bizneseve, por edhe në rritjen e punësimit dhe të prodhimit ka ndikuar edhe taksa prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si shenjë pakënaqësie për pengesat që i bëhen bizneseve kosovare, por edhe paralajmërim se Republika e Kosovës ka institucione dhe mund ta mbrojë vendin dhe bizneset e veta.
Si Qeveri, por edhe si biznese duhet të angazhohemi më shumë për ta ulur shkallën e papunësisë, e cila në vendin tonë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, arrin në afër 30 për qind. Po ashtu, duhet ta rrisim prodhimin vendor që dallimet mes eksporteve dhe importeve mos të jenë kaq të mëdha, si dhe të angazhohemi që paraja e gatshme të investohet në vendin tonë, e jo të vazhdojë të eksportohet jashtë vendit.
Rritja e buxhetit për vitin 2019, në shumën prej mbi 2.3 miliard euro, do të ndikojë edhe në një rritje më të madhe ekonomike gjatë këtij viti, e cila sipas parashikimeve tona mund të shkoj edhe në deri në rreth 5 për qind, e cila nuk është e mjaftueshme për gjendjen në të cilën jemi, por si Republikë e Kosovës do ta kemi rritjen më të madhe ekonomike, në krahasim me vendet e rajonit.

Buxheti për vitin 2019, i cili shumë shpejt pritet të kaloj në Kuvendin e Kosovës, mundëson një funksionim të mirë të shtetit, siguron përkrahje për të gjitha kategoritë nga arka e shtetit, e po ashtu siguron edhe financim të projekteve ekzistuese infrastrukturore, si dhe projekteve të reja kapitale.
Pra, nuk na mbetët tjetër vetëm të punojmë fort dhe të angazhohemi të gjithë me krejt kapacitetet intelektuale e institucionale, por edhe biznesore dhe qytetare, që ta bëjmë edhe në realitet vitin 2019, vit të ekonomisë dhe punësimit.

(Autori është Koordinator Nacional për Ballkanin Perëndimor– BP6 dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal – KBR)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme