Teksa Gjenerata Z po afirmon veten në Serbi dhe Shqipëri, aspektet pozitive për Perëndimin janë shumë më të mëdha sesa kokëçarjet

Prishtinë | 06 Nën 2026 | 08:47 | Nga Agon Maliqi

Një ndryshim brezash po riformëson politikën në Serbi dhe Shqipëri. Kjo ka pasoja të mëdha përtej kufijve të tyre, veçanërisht për sigurinë në Ballkanin Perëndimor në tërësi dhe për zgjerimin e BE-së. Kjo i ofron Perëndimit – i cili shpesh është i kujdesshëm ndaj paqëndrueshmërisë dhe ndryshimeve – një mundësi të re për ta orientuar rajonin drejt objektivave të BE-së dhe NATO-s.

Ajo që nisi dy vjet më parë si një protestë mbarëkombëtare e studentëve në Serbi, pas vdekjes së gjashtëmbëdhjetë personave nga shembja e një stacioni hekurudhor, e lidhur me pretendimet për korrupsion, tashmë ka prodhuar një nga përmbysjet më të rëndësishme në historinë politike të Ballkanit.

Më 25 tetor, një listë zgjedhore e krijuar nga studentët, në të cilën bënin pjesë shumë emra të rinj në politikë, fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pavarësisht kushteve kufizuese për demokracinë. Duke e paraqitur votimin si një referendum kundër establishmentit politik dhe duke nxitur pjesëmarrje rekord, Lista Studentore arriti, kundër të gjitha pritshmërive, t’i japë fund dominimit katërmbëdhjetëvjeçar të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq në politikën serbe, ndërsa shkatërroi edhe të gjitha partitë e tjera tradicionale opozitare.

Në Shqipërinë fqinje, anëtare e NATO-s, një lëvizje paqësore e udhëhequr nga Gjenerata Z, kundër zhvillimeve luksoze bregdetare dhe korrupsionit të elitave, kohët e fundit u shndërrua në protesta më të gjera, kryesisht të udhëhequra nga studentët, disa prej të cilave kanë degjeneruar në dhunë. Protestuesit kërkojnë ndryshimin e establishmentit politik, veçanërisht përfundimin e duopolit të kahershëm të kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Sali Berisha. Gjatë pjesës më të madhe të tetorit, trazirat kanë përfshirë qendrën e Tiranës. Qeveria e Ramës, tashmë në vitin e saj të trembëdhjetë në pushtet, ka pasur vështirësi për të ruajtur kontrollin, pavarësisht shumicës së saj të fortë parlamentare.

Serbia dhe Shqipëria kanë kontekste politike shumë të ndryshme, si dhe lidhje shoqërore e kulturore shumë të kufizuara me njëra-tjetrën. Megjithatë, përmbysja politike në Beograd po jehon edhe në Tiranë.

Kjo ka një arsye gjeopolitike. Gjatë dekadës së fundit, Rama dhe Vuçiq kanë funksionuar deri diku si garantues të një ruajtje të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, të mundësuar nga politika perëndimore e frenimit të tensioneve në rajon. Me ndikimin e tyre më të gjerë në të gjithë Ballkanin, ata kanë shërbyer si pika mbështetëse të Perëndimit për stabilitetin rajonal, në këmbim të mbështetjes së heshtur perëndimore për qeverisjen e tyre – një model qeverisjeje që studiuesit dhe vëzhguesit e kanë cilësuar si “stabilokraci”.

Ironia qëndron në faktin se tani janë kundërshtarët e Ramës dhe Vuçiqit, një brez i ri shqiptarësh dhe serbësh, ata që mund të jenë duke ndarë njohuri dhe duke shprehur solidaritet me njëri-tjetrin. Zgjedhjet në Serbi i ofrojnë lëvizjes protestuese ende të brishtë në Shqipëri një model për veprim politik, shumë më produktiv sesa shndërrimi i lëvizjes në një fenomen të karakterizuar nga trazirat pa drejtim.

Përtej këndvështrimit gjeopolitik

Shumë shpesh, kryeqytetet perëndimore i shohin zhvillimet në Ballkan përmes një këndvështrimi të reduktuar dhe egoist gjeopolitik. Shqetësimi kryesor për shumë liderë perëndimorë është se deri në çfarë mase Moska po i shfrytëzon apo po i nxit ngjarjet, por edhe kur protestat kanë origjinë tërësisht vendore, trazirat politike ngjallin shqetësime për paqëndrueshmërinë rajonale, pasojat e saj për zgjerimin e BE-së dhe sigurinë e aseteve strategjike, si korridoret energjetike dhe ato të transportit.

Perëndimi ka arsye të vlefshme për t’u shqetësuar. Ndonëse arritja mbresëlënëse e Listës Studentore në Serbi mund t’i sigurojë asaj vullnet të mirë ndërkombëtar, ajo mbetet një strukturë heterogjene dhe pa lider, e cila mobilizoi shumicën e votuesve rreth një emëruesi të përbashkët minimal: mposhtjes së Vuçiqit. Tani ajo duhet të zgjidhë çështjet përçarëse dhe të dëshmojë se një organizim kundër establishmentit, i qeverisur përmes një komiteti, mund t’i drejtojë institucionet shtetërore, shumë prej të cilave vazhdojnë të dominohen nga besnikët e regjimit të mëparshëm.

Në letër, orientimi i Listës Studentore në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë është kryesisht identik me atë të Vuçiqit. Ajo synon neutralitetin ushtarak dhe anëtarësimin në BE, krahas objektivave të papajtueshme për ruajtjen e lidhjeve të forta me Rusinë dhe Kinën, përfshirë kundërshtimin e sanksioneve ndaj Moskës. Ajo gjithashtu mbetet fuqishëm brenda kornizave të nacionalizmit serb, gjë që nuk i qetëson fqinjët e Serbisë. Megjithatë, këto objektiva nuk ishin ndër çështjet kryesore të fushatës dhe mund të mos theksohen në praktikë – veçanërisht nëse Serbia e rifillon në mënyrë domethënëse angazhimin me BE-në.

Shqipëria, përkundrazi, është anëtare e NATO-s dhe synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027. Ajo ka bërë përparim të shpejtë në këtë proces, kryesisht falë reformave kundër korrupsionit, të mbështetura nga Perëndimi, dhe punës së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, e njohur si SPAK, e cila ka sfiduar kulturën e pandëshkueshmërisë në vend duke hetuar dhe ngritur akuza ndaj një numri figurash të fuqishme, përfshirë edhe persona nga rrethi i ngushtë i Ramës.

Në fakt, lëvizja protestuese është nxitur kryesisht nga pakënaqësitë publike për korrupsionin në nivelet e larta, të zbuluar nga hetimet e SPAK-ut. Në këtë kuptim, protestat mund të shihen si shenjë se kushtëzimi i procesit të anëtarësimit në BE po e kryen punën e tij transformuese. Por, përshkallëzimi i fundit i protestave në dhunë rrezikon ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga drejt BE-së, nëse ai thjesht prodhon paqëndrueshmëri pa krijuar rrugë politike për vazhdimin e reformave.

Ndonëse Perëndimi ka shqetësime legjitime se Gjenerata Z po i trazon ujërat në Ballkan në një moment kaq delikat, këto shqetësime nuk duhet ta diktojnë politikën e tij. Të rinjtë po rebelohen kundër qeverisjes paternaliste, nuk po veprojnë në emër të Rusisë apo Kinës. Trajtimi i tyre si gurë shahu në konkurrencën mes fuqive të mëdha do të ishte i shkëputur nga realiteti dhe kundërproduktiv. Meqenëse kërkesa kryesore e protestuesve është llogaridhënia politike, BE-ja është aleati i tyre natyror. Perëndimi mund të ndihmojë në ankorimin e këtyre aktorëve të rinj demokratikë nëse angazhohet me ta sipas kushteve që ata vetë përcaktojnë.

Një varg testesh vendimtare

Reagimi i menjëhershëm i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndaj rezultatit të zgjedhjeve në Serbi e theksoi këtë pikë të qartë konvergjence ndërmjet BE-së dhe qeverisë së ardhshme serbe. Në një postim në rrjetet sociale, ajo renditi në mënyrë specifike si prioritete të BE-së “mbështetjen për reformat në sundimin e ligjit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe institucionet e forta demokratike”. Serbia mund të nisë së shpejti të bëjë përparim në procesin e saj të ngecur të anëtarësimit në BE, nëse qeveria e ardhshme fillon të japë rezultate në këtë drejtim. Disa nga këto reforma, për shembull, do të mundësonin një mbikëqyrje më të madhe të investimeve kineze dhe mund të ndihmonin në rishkrimin e rregullave të angazhimit ndërmjet Beogradit dhe Pekinit.

Ndërsa rivendos marrëdhëniet me Serbinë, BE-ja nuk duhet t’i neglizhojë implikimet rajonale të qëndrimit të Listës Studentore ndaj politikës së jashtme dhe sigurisë, si dhe qasjen e saj ndaj Rusisë, nga frika se mund të cenojë mungesën e konsensusit të lëvizjes për këto çështje. Testi i vërtetë vendimtar për përkushtimin e vendit ndaj anëtarësimit në BE do të jenë marrëdhëniet e mira fqinjësore. Konkretisht, rëndësi do të ketë qëndrimi i Serbisë ndaj Malit të Zi, ndërsa ky i fundit i afrohet përfundimit të procesit të anëtarësimit në BE, ndaj agjendës secesioniste të Milorad Dodikut në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe ndaj normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Ndonëse një qeveri e ardhshme e udhëhequr nga Lista Studentore mund t’i shtyjë për më vonë çështjet më përçarëse të politikës së jashtme, marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të jenë një pritshmëri minimale. Ato janë gjithashtu në interes të Serbisë, pasi marrëdhëniet mjaftueshëm të mira mund të shërbejnë si një hap potencial drejt përafrimit të ardhshëm me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP).

Sfida e BE-së në Shqipëri është njëkohësisht më e thjeshtë dhe më e ndërlikuar. SPAK-u, si gurthemeli i procesit të anëtarësimit, ka qenë një katalizator i transformimit politik, dhe mbrojtja e tij nga ndërhyrjet politike duhet të mbetet një test vendimtar për angazhimin e BE-së me aktorët në vend.

Reagimet e BE-së kundër trazirave dhe thirrjet që pakënaqësitë të kanalizohen përmes procesit politik janë të arsyeshme. Por BE-ja duhet të vazhdojë gjithashtu të shqyrtojë me kujdes masat e tepruara të një shteti kandidat për të frenuar mospajtimin legjitim dhe dhunën ndaj protestuesve. Anëtarësimi në BE është një synim i përbashkët për një pjesë të gjerë të shoqërisë shqiptare dhe nuk është monopol që mund të garantohet vetëm nga një qeveri. E vetmja mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në BE është duke trajtuar fushën e pabarabartë të konkurrencës politike në demokracinë e saj, e cila kontribuon në shfaqjen e simptomave si dhuna politike.

Dhe mbetet edhe një konsideratë përfundimtare: A do të jenë Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja në një linjë për këtë çështje? Uashingtoni ka qenë disi i heshtur javët e fundit, duke vazhduar modelin e angazhimit jokonsistent dhe ad hoc në rajon gjatë dy viteve të fundit. Administrata Trump lëshoi një deklaratë ku dënonte trazirat në Shqipëri, ndërsa reagimi i saj fillestar ndaj zgjedhjeve në Serbi erdhi vetëm përmes përgjigjeve ndaj pyetjeve të mediave; një deklaratë zyrtare e Ambasadës së SHBA-së pasoi pesë ditë më vonë.

Natyrisht, Uashingtoni ka agjenda të veçanta dypalëshe, dialogë strategjikë dhe projekte ekonomike me Serbinë dhe Shqipërinë, asnjëra prej të cilave nuk duket të jetë e kërcënuar, si dhe ndikim që mund ta përdorë nëse dëshiron. Megjithatë, reagimi i tij i ngadaltë ndaj zhvillimeve kaq të rëndësishme sinjalizon mungesë të një fokusi dhe interesi të qartë strategjik për rajonin. Rëndësia e madhe dhe mundësitë që ofron ky moment transformues kërkojnë ambicie më të mëdha.

Të ngjashme