Qerimi për rritjen graduale të shtesave për fëmijë: Edhe një euro është ndihmë, shumat aktuale nuk mbulojnë as shpenzimet e një jave

Prishtinë | 06 Nën 2026 | 08:00 | Nga Drita Dërmaku

Në kohën kur rritja e kostos së jetesës po rëndon buxhetin e familjeve kosovare, shtesat për fëmijë pritet të rriten gradualisht gjatë katër viteve të ardhshme. Megjithatë, ekonomisti Fidan Qerimi vlerëson se, ndonëse çdo euro shtesë është e mirëseardhur, mbështetja aktuale mbetet larg nevojave reale të familjeve, pasi shpenzimet për fëmijët, sidomos për të porsalindurit, mund t’i tejkalojnë këto përfitime brenda vetëm një jave.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Qerimi ka thënë se vendimi është i mirëpritur.

“Natyrisht, edhe një euro është ndihmë për familjet. Padyshim që është një vendim i mirëpritur prej të gjitha familjeve, por këto shtesa të fëmijëve janë jashtëzakonisht të ulëta, e që ndoshta shpenzimet, tri ose maksimalisht një javë, nuk i mbulojnë këto shtesa për fëmijët, që janë sidomos të porsalindurit”, ka deklaruar Qerimi.

Ai ka vlerësuar se institucionet nuk kanë ofruar trajtim dhe mbështetje të mjaftueshme për këtë kategori, duke theksuar veçanërisht vështirësitë me të cilat përballen familjet e reja dhe gratë që nuk janë aktive në tregun e punës.

Sipas tij, shtesat për fëmijë do të duhej të shërbenin si një mbështetje më e konsiderueshme për familjet, në mënyrë që ato të kenë mundësi më të mira për mirërritjen e fëmijëve.

“Fatkeqësisht, nuk është si vend që kemi një trajtim të duhur ndaj kësaj kategorie të fëmijëve, duke pasur parasysh që në tregun e punës, sidomos gjinia femërore e moshës, të cilat potencialisht mund të jenë nëna të reja, nuk është që janë aktive në tregun e punës dhe kjo do të ishte një mbështetje për këto familje dhe për këtë kategori të popullatës, që të jetë një mbështetje në mirërritjen e atyre fëmijëve”, ka thënë ai.

Qerimi ka theksuar se mbështetja për familjet me fëmijë duhet të përmirësohet dukshëm, veçanërisht në kohën kur Kosova po përballet me rënie të numrit të lindjeve.

Ai ka përmendur edhe faktorët ekonomikë dhe nevojën e të rinjve për zhvillim profesional e akademik, të cilët, sipas tij, ndikojnë në vendimet për krijimin e familjes dhe lindjen e fëmijëve.

“Fatkeqësisht, nuk është që i kemi trajtuar në mënyrën e duhur dhe mendoj që ka vend jashtëzakonisht shumë për përmirësim dhe për mbështetje të kësaj kategorie, duke pasur parasysh që numri i lindjeve ka rënë jashtëzakonisht shumë krahasuar me vitet e kaluara, kur ka qenë ndoshta shumë sfiduese, por fatkeqësisht rrethanat e reja, do të thotë nevoja për rritje profesionale, akademike, bën që këto lindshmëri të jenë në nivel të ulët. Kur i shtojmë edhe këtë problem financiar, është edhe më tepër ndikuese negative në uljen e lindshmërisë”, ka deklaruar Qerimi.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ku u prezantua projektbuxheti për vitin 2027, ka bërë të ditur se shtesat për fëmijë do të rriten gradualisht në katër faza, me synimin që deri në janar të vitit 2030 të dyfishohen.

Kurti ka njoftuar se rritja e parë prej 25 për qind do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa tri fazat e tjera do të zbatohen në fillim të viteve 2028, 2029 dhe 2030.

Sipas shembullit të dhënë nga kryeministri, aktualisht shtesa për një fëmijë është 30 euro në muaj. Me rritjen e parë prej 25 për qind, nga 1 janari 2027 kjo shumë do të bëhet 37.50 euro, apo 7.50 euro më shumë në muaj.

“Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25 për qind, pastaj edhe më 1 janar të vitit 2028 përsëri 25 për qind, në janar 2029 përsëri 25 për qind dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale, duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka dhënë edhe shembuj konkretë se si do të ndikojë rritja e parë në përfitimet mujore të familjeve.

Një familje me dy fëmijë, që aktualisht përfiton 60 euro në muaj, nga janari i vitit 2027 do të marrë 75 euro, ndërsa një familje me katër fëmijë, që aktualisht merr 180 euro, do të përfitojë 225 euro në muaj.

Sipas Kurtit, rritja e shtesave do të vazhdojë në mënyrë graduale çdo vit, deri në dyfishimin e shumës aktuale në janar të vitit 2030.

Të ngjashme