Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike gjatë muajve të ftohtë, pasi me uljen e temperaturave është rritur edhe konsumi i saj.
Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor 2026, konsumi i energjisë elektrike te konsumatorët e rregulluar është rritur për 4,1 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkaq, kompania ka bërë të ditur se ditët e para të nëntorit kanë shënuar rritje edhe më të madhe të konsumit.
“Ditët e para të nëntorit tregojnë një rritje shtesë prej afro 25 për qind krahasuar me muajin paraprak. Prandaj, kujdesi në përdorimin e energjisë elektrike merr rëndësi të veçantë”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.
Kjo kompani ka theksuar se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia, por shmangien e konsumit të panevojshëm.
“Kursimi nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia, por shmangien e konsumit të panevojshëm”, thuhet në njoftim.
KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që të mbajnë temperatura të arsyeshme në ambientet e banimit, të ngrohin vetëm hapësirat që përdorin, të shfrytëzojnë pajisjet elektrike në mënyrë efikase dhe t’i fikin ato kur nuk janë në përdorim.
Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.
KESCO ka përsëritur thirrjen për kursim të energjisë gjatë këtij dimri.
“Çdo kilovat-orë i kursyer ka vlerë. Për familjen tuaj dhe për të gjithë ne”, thuhet në njoftim.