KE vlerëson progresin e reformave në sektorin financiar dhe konfirmon qëndrueshmërinë e sektorit bankar në Kosovë

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur vlerësimet e Komisionit Evropian në Raportin për Kosovën për vitin 2026, i cili konfirmon qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe njeh progresin e arritur në avancimin e reformave ligjore, rregullative dhe institucionale në sektorin financiar, në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian (BE).

Raporti vlerëson progresin e mirë të Kosovës në fushën e lëvizjes së lirë të kapitalit (Kapitulli 4), duke theksuar miratimin e legjislacionit për shërbimet e pagesave dhe për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Përfshirja e dispozitave për Bankimin e Hapur (Open Banking) në Ligjin për Shërbimet e Pagesave është vlerësuar si progres pozitiv në digjitalizimin e shërbimeve financiare. Komisioni Evropian konstaton se rekomandimet e vitit paraprak në këtë fushë janë zbatuar në masë të madhe, duke njohur kështu përparimin në përafrimin e kornizës ligjore me kërkesat e BE-së.

Në fushën e shërbimeve financiare (Kapitulli 9), Raporti evidenton progresin në përafrimin e legjislacionit bankar me standardet evropiane, veçanërisht lidhur me kërkesat për kapital, rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave. Në këtë drejtim, vlerësohen zhvillimet në kornizën ligjore dhe institucionale, përfshirë përcaktimin e BQK-së si autoritet përgjegjës për zgjidhjen e bankave dhe hapat drejt operacionalizimit të këtij funksioni.

Komisioni Evropian konfirmon se sektori bankar i Kosovës ka vazhduar të zgjerohet duke mbetur i shëndoshë dhe i qëndrueshëm, me tregues të kënaqshëm të kapitalizimit, cilësisë së aseteve dhe performancës financiare. Sipas të dhënave të përfshira në Raport, në fund të qershorit 2026, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 17.1%, ndërsa niveli i kredive joperformuese ishte 2.0%, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe kapacitetin e tij për të mbështetur aktivitetin ekonomik.

Raporti njeh gjithashtu progresin në zbatimin e udhërrëfyesit për Procesin e Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), si pjesë e kalimit drejt mbikëqyrjes së plotë të bazuar në rrezik deri në fund të vitit 2027. Ky zhvillim pasqyron angazhimin e BQK-së për avancimin e praktikave mbikëqyrëse dhe forcimin e mëtejmë të qëndrueshmërisë së sistemit financiar.

Në fushën e sistemeve të pagesave, Komisioni Evropian njeh progresin e arritur përmes miratimit të Ligjit për Shërbimet e Pagesave, i cili avancon përafrimin me direktivat dhe rregulloret përkatëse të BE-së. Kjo reformë përbën një bazë të rëndësishme për zhvillimin e shërbimeve moderne të pagesave, nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit, si dhe për avancimin e integrimit financiar të Kosovës në tregun evropian, përfshirë përgatitjet për aplikim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe zhvillimin e infrastrukturës për pagesa të shpejta.

Në kuadër të politikës ekonomike dhe monetare (Kapitulli 17), Raporti evidenton përpjekjet e vazhdueshme të BQK-së për forcimin e qeverisjes institucionale dhe transparencës, në funksion të avancimit të mëtejmë të kornizës së saj institucionale.

Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili, thekson se vlerësimet e Komisionit Evropian përbëjnë një njohje të rëndësishme të progresit të reformave të ndërmarra dhe të përkushtimit institucional për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe përafrimin me standardet evropiane.

“Vlerësimet e Komisionit Evropian konfirmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe njohin progresin e reformave që po zbatojmë në kuadër të mandatit të BQK-së. Avancimi i mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, modernizimi i kornizës ligjore dhe rregullative, zhvillimi i sistemeve të pagesave dhe forcimi i kapaciteteve institucionale mbeten prioritete të rëndësishme të punës sonë. Jemi të përkushtuar të vazhdojmë me zbatimin e reformave dhe adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke ruajtur pavarësinë institucionale dhe duke kontribuar në integrimin financiar dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian”, theksoi Guvernatori Ismaili.

BQK mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të Planit të saj Strategjik, forcimit të mëtejmë të mbikëqyrjes dhe stabilitetit financiar, avancimit të kornizës për rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave, zhvillimit të tregut të sigurimeve, modernizimit të sistemeve të pagesave dhe forcimit të qeverisjes institucionale.

Në këtë drejtim, BQK do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, Komisionin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë për adresimin e rekomandimeve të Raportit dhe avancimin e reformave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit financiar dhe integrimin evropian të vendit.

Raporti i plotë i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026: https://enlargement.ec.europa.eu/document/download/fbf2d883-1d14-4e09-8aba-c904ba0d5d9b_en?filename=kosovo-report-2026.pdf

Të ngjashme