Hoti kritikon Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale: Vetëm 37% e buxhetit të shpenzuar në gjashtë muaj

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale, duke thënë se pavarësisht tenderëve të shumtë me negocim, në gjashtë muajt e parë të vitit është shpenzuar vetëm 37 për qind e buxhetit të planifikuar.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Hoti ka shkruar se nga 1.02 miliardë euro të parapara për investime kapitale gjatë këtij viti, janë shpenzuar vetëm 377 milionë euro, ndërsa 643 milionë euro kanë mbetur të parealizuara.

Ai ka theksuar se nga shuma e shpenzuar përfshihen edhe 82 milionë euro për pagesa sipas vendimeve gjyqësore, çka nënkupton se investimet reale kapitale arrijnë në vetëm 295 milionë euro.

Hoti ka publikuar edhe të dhënat për realizimin e investimeve sipas ministrive, ku disa prej tyre kanë shënuar përqindje tejet të ulëta.

Sipas tij, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka realizuar asnjë për qind të investimeve të planifikuara, ndërsa Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka realizuar vetëm 1 për qind.

Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë ka realizuar 9 për qind, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës 11 për qind, ndërsa Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe ajo e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga 15 për qind.

Përqindje të ulëta të realizimit, sipas Hotit, kanë edhe Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Shëndetësisë me nga 24 për qind, Ministria e Mbrojtjes me 29 për qind dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me 35 për qind.

Hoti ka vlerësuar se mosrealizimi i investimeve kapitale po i shkakton dëme ekonomisë së vendit, pasi qindra miliona euro që duhej të qarkullonin në biznese dhe të siguronin paga për mijëra punëtorë kanë mbetur të pashpenzuara.

Ai ka paralajmëruar se pjesa e mbetur e buxhetit vështirë se mund të realizohet deri në fund të vitit.

Të ngjashme