2020, vit i mbrapshtë i Kosovës

Prishtinë | 12 Dhj 2020 | 12:51 | Nga Ismail Syla

1.Viti 2020 në tërësi po shkon si vit i pandemisë, vit i Covid-19. Vetëm në Kosovë nga infeksionet me këtë virus vdiqën 1.161 persona. Çrregullimi i jetës është i dukshëm edhe në mesin tonë. Pasojat kanë filluar të ndjehen në proporcion me përmasat e të gjitha fushave të jetës, aq sa përfaqëson Kosova në rajon e më gjerë, si ekonomi, jetë institucionale dhe qarkullim të mallrave dhe njerëzve.

2.
Më 24 qershor 2020 doli në pah ajo që me vite sillej si një re e zezë mbi kokën politike të Kosovës. Një komunikatë e Gjykatës Speciale e bëri të ditur për opinion publik se subjekt i Prokurorisë së Dhomave të specializuara ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Kjo komunikatë ishte minë e kurdisur që shpërtheu gjatë orarit të udhëtimit të presidentit Thaçi drejt Uashingtonit.

3.
Zhvillimet ndërmjet periudhës 24 qershor deri më 5 nëntor 2020 karakterizohen me pritje të afatit gjashtëmujor se a do ta nënshkruaj aktakuzën a jo gjykatësi i procedurës paraprake. Dy gjëra që mua më bënë përshtypje të thellë ishin, nën një: arrestimi i krerëve të OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Ngucatit. Ata u viktimizuan si “cjepër biblikë” nga Gjykata Speciale në vend të atyre që i bën të rrjedhin dokumentet konfidenciale të EULEX-it, dhe, nën dy: deklarimi i avokatit të populli të Gjykatës Speciale Pietro Spera, i cili godet “viktimat”, e zakonisht ombudspersoni “anon” nga pala e dëmtuar.

4.
Më 5 nëntor 2020 u realizua një akt me peshë dramatike. Arrestimi i presidentit Thaçi. Prej ambicies së prokurores Carla del Ponte që “të ketë punë me të” pas përfundimit të luftës dhe deri te dita e dorëheqjes nga posti i presidentit gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregull, ka një hark kohor 21 vjeçar. Hashim Thaçi pas përfundimit të luftës ishte pjesë e çmilitarizimit të UÇK-së, e krijimi të partisë politike (PDK), e fitoreve të zgjedhjeve më 2007. Ishte kryeministër që shpalli pavarësinë e Kosovës dhe që e drejtoi qeverinë e vendit deri më 2014. Në vazhdim qe zëvendës kryeministër dhe prej 7 prillit 2016 President i Kosovës.

5.
Arritja e një momenti kur vihen pranga në duart e një lideri meritor për historinë e re të Kosovës, njeriut që kryesoi delegacionin e Kosovës në Rambouillet, njeriut që shpalli pavarësinë e Kosovës, politikanit dhe diplomatit më properëndimor që ka prodhuar historia e Kosovës, nuk është aspak e lehtë për vetë qenësinë e kombit. Jashtë botës së kundërshtarëve politikë, jashtë qarqeve armiqësorë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, arrestim i njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit etj) është goditje, fyerje dhe prekje e integritetit kombëtar dhe historik të Kosovës.

6.
Shprehje e frymës perëndimore dhe e lojalitetit, e jo miopi politike, ishte edhe themelimi i Gjykatës speciale me seli në Hagë. Thirrja për qetësi dhe “dorëzimi” paqësor gjatë procedurës së arrestimit është shprehje e seriozitetit dhe kulturës së burrështetasve që përcaktim jetësor i kanë veprimet madhore në favor të ngritjes dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës.

7.
Në tekstin e aktakuzës së redaktuar, të publikua nga Gjykata Speciale e Hagës, gjen kuptimin e saj shprehja shqipe “pllakos”, kur diçka e fortë dhe me peshë të rëndë, si pllaka e shtëpisë, të bie mbi kokë. Është fajësimi për krime kundër njerëzimit. Ta ngarkosh UÇK-në ke krime kundër njerëzimit dhe ta baras vlerësosh atë me krimet e ushtrisë dhe policisë serbe të periudhës së Sllobodan Millosheviqit është huqja më e madhe e vënë në krahët e peshores së drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Analisti britanik James Pettifer në librin “Ekspresi i Kosovës” më së miri e gjen relacionin dhe proporcionin e UÇK-së dhe ushtrisë serbe. Derisa shteti serb kishte një ushtri me doktrinë dhe hierarki shtetërore, sipas tij UÇK-ja kishte tri elemente: kallashnikovin, NOKIA-n dhe çorganizimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme