Është mbyllur edhe një vit për Kombëtaren e Kosovës, që ka pasur rënie të madhe, në aspektin e pritshmerive.
“Dardanët” në kualifikueset për Kampionatin Botëror kanë luajtur ndaj disa top Kombëtareve, si Spanja, Suedia dhe Greqia, por ishin të pafuqishme për të fituar qoftë vetëm një ndeshje.
Golat e Kosovës gjatë vitit 2021:
Në 14 ndeshje të zhvilluara në vitin 2021, Kombëtarja e Kosovës ka gjetur rrjetën vetëm 17 herë, derisa ka pranuar plotë 21 gola.
Futbollisti me më së shumti gola të realizuara te “Dardanët” për këtë vit që lamë pas ishte sulmuesi i Lazios, Vedat Muriqi me tetë gola, ndjekur nga Arbër Zeneli, Besar Halimi dhe Milot Rashica me nga dy sosh. Ndërsa, nga një gol këtë vit shënuan Amir Rrahmani, Arbër Hoxha dhe Arb Manaj.
Kartonët e verdhë dhe të kuq për vitin 2021:
Kosova zhvilloi lojë mjaft agresive këtë vit, ku brenda 14 ndeshjeve, lojtarët tanë u ndëshkuan 28 herë me karton të verdhë, derisa vetëm një i kuq.
Më të ndëshkuarit ishin Lirim Kastrati, Besar Halimi dhe Hekuran Kryeziu me nga tre kartonë, ndjekur nga Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Florian Loshaj, Fidan Aliti, Florent Hadergjonaj dhe Ibrahim Dreseviq me nga dy kartonë të ndëshkuar, kurse nga një herë u ndëshkuan Idriz Voca, Mersim Asllani, Valon Berisha, Mirlind Kryeziu, Mërgim Vojvoda, Elbasan Rashani dhe Herolind Shala.
Kartonin e vetëm të kuq për Kosovën në këtë vit e mori Bernard Berisha, atë në ndeshjen ndaj Suedisë (90+2).
Lojtari me më së shumti minuta për këtë vit:
Sa i përket minutazhës, te Kombëtarja e Kosovës futbollisti me më së shumti minuta të zhvilluar ishte qendërsulmuesi Vedat Muriqi. Shtatlarti zhvilloi plotë 958 minuta nga 990 të mundshëm, duke marrë parasysh se nuk ishte i ftuar në tri miqësoret e qershorit (Maltës, Guinesë dhe Gambisë). Në total, Muriqi nuk zhvilloi vetëm 32 minuta në 11 ndeshjet e këtij viti.
Në përgjithësi, Kombëtarja e Kosovës kaloi një vit jo të mirë sa i përket rezultateve. Nga 14 ndeshje të zhvilluara, “Dardanët” fituan vetëm pesë ndeshje, katër prej tyre të cilat ishin miqësore, regjistruan dy barazime ndaj Greqisë dhe pësuan shtatë humbje, , shkruan lajmi.net.
E vetmja gjë pozitive për këtë vit mbetet ngritja në renditjen e FIFA-së, ku renditemi në pozitën e 111-të, për dallim nga viti i kaluar që qëndronim në pozitën e 117-të.
Tani, Kosova duhet të fokusohet në Ligën e Kombeve ku ndodhemi në grupin C me Kombëtare si Greqia, Irlanda e Veriut dhe fituesi i ndeshjes Qipro – Estoni.