Bota shënon më 21 mars Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve. Kjo ditë me rëndësi ndërkombëtare u caktua me rezolutë të posaçme nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 28 nëntor të vitit 2012. Pra, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 21 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve dhe pemëve jashtë pyjeve.
Pyjet mbulojnë një të tretën e masës tokësore të globit dhe kanë një funksion thelbësor për të mirën e gjithë njerëzimit. Rreth 1.6 miliardë njerëz, përfshirë edhe mbi 2000 komunitete indigjene, varen tërësisht nga pyjet. Këto të fundit janë eko sistemet biologjikisht më të ndryshme në tokë dhe strehojnë mbi 80% të specieve të kafshëve, pemëve dhe insekteve mbi tokë.
Pyjet kanë një rol kyç në betejën e njerëzimit për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike. Ato balancojnë oksigjenin, dioksidin e karbonit dhe lagështinë e ajrit. Pyjet mbrojnë burimet e ujit që mundësojnë furnizimin me mbi 75% të ujit të pijshëm.
Megjithatë, pavarësisht këtyre përfitimeve të çmuara ekologjike, ekonomike, sociale dhe shëndetësore, bota po vuan nga një shpyllëzim i niveleve alarmante. Plot 13 milionë hektarë pyje shkatërrohen çdo vit. Shpyllëzimi është fajtor për 12-20 përqind të emetimit të gazrave serë që kontribuojnë në ndryshimet klimatike.
Pyjet sigurojnë ajër të pastër, ujë dhe energji. Menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve mund të sigurojë energji të rinovueshme dhe neutrale të karbonit për një të ardhme më të gjelbër.
Investimi më i madh në risitë teknologjike dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve është çelësi për të rritur rolin e pyjeve si një burim kryesor i energjisë së rinovueshme. Në këtë mënyrë ne investojmë në të ardhmen tonë të qëndrueshme, në përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjen e një ekonomie të gjelbër.
Pyjet na sigurojnë ajër të pastër. Të kujdesemi për pyjet…
(Autori është ambientalist)